Joe Biden po vjen në Evropë për të rekrutuar ushtarë për Luftën e Ftohtë të re
Artikulli i mëposhtëm është shkruar nga The Guardian dhe është përkthyer nga Periskopi.
Joe Biden po kalon Atlantikun këtë javë në dallgë të mirëbesimit. Pas katër vitesh të presidencës së Donald Trumpit, liderët evropianë janë mirënjohës për faktin e thjeshtë që president i Amerikës është dikush që beson te demokracia dhe e kupton diplomacinë.
Trumpi nuk e rrokte konceptin e alencës historike, e as atë të partneritetit strategjik apo të interesave të përbashkëta. Ai shihte institucionet multilaterale si konspiracione kundër fuqisë së Amerikës, e të cilën Amerikë s’mund ta dallonte prej ego-s së tij. Ai dëgjonte evropianët derisa flisnin për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregull dhe ligj si kukama të përbuzshme të kombeve ngordhalaqe.
Qëllimi i deklaruar i Bidenit është përforcimi i atij rendi. Në një artikull të botuar në The Washington Post në prag të udhëtimit të tij, presidenti flet për dedikimin e “përtërirë” dhe “të palëkundur” për marrëdhëniet transatlantike të bazuara në “vlerat e përbashkëta demokratike”.
Itinerari fillon në Kornuoll [Cornwall] me tubimin e liderëve të G7-s. Më pas vazhdon në Bruksel në tubimin e NATO-s, plus takimet me presidentët e Këshillit, respektivisht Komisionit Evropian. Bideni ka për qëllim të orkestrojë një dallgë solidariteti perëndimor si muzikë që ia ndreq disponimin para ndaljes finale në Gjenevë, ku do të ulet me Vladimir Putinin. Në atë front, lidhjet stabile e të relaksuara do të vlejnë si progres pas përçudnimit të Donald Trumpit me të fortin e Kremlinit.
Rivënia në skenë e koreografisë së Luftës së Ftohtë do t’i shkonte për shtat Putinit duke mikluar pretendimin e tji se Rusia është ende një superfuqi. Në realitet, Vashingtoni [Washingtoni] e sheh Moskën si një forcë në rënie që e kompenson influencën e shkrirë duke goditur ku të mundet, duke shkaktuar ligësi dhe duke mbjellur përçarje. Putini shihet si një bezdisës, jo si rival.
Kjo është e kundërta me mënyrën se si shihet Kina – një superfuqi aktuale dhe poli lindor që Bideni ka ndërmend kur flet për rigjallërimin e aleancës së demokracive perëndimore. Në atë aspekt, hedhja poshtë e retorikës së Trumpit mund të çojë në qorrsokak. Tingëllon për veshtë evropianë sikur administrata e re në Shtëpinë e Bardhë shpreson të kthejë kohën prapa në një epokë më të qetë e më pak luftuese. Në realitet, Bideni po vjen në Evropë që t’i mbledh ata së bashku në garën për supremaci globale me Pekinin.
Me Evropën, në këtë kontekst, Bideni ka ndërmend edhe Britaninë. Boris Johnsoni mund ta imagjinojë veten si lider botëror me staturë kontinentale, por presidenti amerikan nuk do ta plotësojë atë fantazi.
Bideni nuk e sheh mirë Brexitin, pasi e mendon si një sabotazh të pakuptimtë të unitetit evropian. Shtëpia e Bardhë e preferon një Britani si zërin pro-amerikan për të ushtruar influencë brenda BE-së. Prej që ai funksion u humb, e vetmja gjë e dobishme e Brexitit është në bërjen më të lehtë për Britaninë që të përqafojë vasalitetin ekonomik dhe strategjik ndaj Amerikës. Kjo nënkupton edhe të futet në rresht në vijën e ashpër ndaj Kinës.
Kombet evropiane nuk duhet të pauzojnë për shumë kohë në zgjedhjen mes Vashingtonit dhe Pekinit. Është e lehtë të kesh pakënaqësi ndaj krekosjes globale amerikane dhe të vësh në spikamë hipokrizinë në pretendimin e saj se është fanari i lirisë politike. Por alternativa është një shtet totalitar ekspansionist që militon kundër demokracisë dhe së fundi është i përfshirë në gjenocid kundër ujgurëve myslimanë.
Nëse Kina do të ishte një shtet më i varfër, misioni i Bidenit do të ishte më i lehtë. Por hendeku ekonomik mes superfuqive të etabluara po ngushtohet. Sa i përket parave për kokë banori, Amerika është më mirë, por Kina po e tejkalon sa i përket bruto-produktit kombëtar. Me këtë rëndesë vijnë edhe mundësinë teknologjike që çojnë edhe te avancimet ushtarake e që po e lënë pa gjumë Pentagonin.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Kremlini e mbante një rivalitet kredibil ushtarak me perëndimin por nuk ishte garues ekonomik për shumë kohë. Kolapsimi i modelit ekonomik dukej të provonte që liria dhe prosperiteti politik vinin si pjesë të një paketimi. Nuk mund të kishte ndërmarrje pa tregje, dhe tregje pa rregulla fer, dhe rregulla të zbatueshme pa demokraci. Modeli hibrid i partisë Komuniste Kineze i kapitalizmit autoritar duket se po zhvlerëson atë teori.
Kur G7-a u konceptua në vitet ’70, anëtarësia e kombinuar – ShBA-të, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia – rehatshëm reprezentonin aksionet e pasurisë globale. Kishte një lidhje të natyrshme të institucioneve demokratike liberale dhe suksesit ekonomik. Sot, këto shtatë kombe kanë GDP-në e përbashkët më poshtë se 40% të totalit botëror. Perëndimi ende është i pasur, por nuk është më super liga që të gjithë ia kanë zili.
Paraja kineze po i jep Evropës incentiva komerciale që mund të garojnë me retorikat mendjemëdha të vlerave demokratike. Kina është tregu më i madh i eksportit të Gjermanisë. Anëtarët më të vegjël të BE-së kanë mirëpritur investimet kineze në infrastrukturë dhe biznes, megjithëse po rriten shqetësimet për ndikimin politik dhe atë në sigurinë e këtyre vendeve. Marrëveshja e madhe tregtare mes Brukselit dhe Pekinit e nënshkruar vitin e kaluar [për tronditjen e Vashingtonit] aktualisht është e ngrirë për shkak të kritikave evropiane ndaj abuzimeve me të drejta të njeriut nga ana e Kinës.
Por qeveritë e BE-së thjesht nuk po ndjejnë nivelin e urgjencës së ShBA-ve për ta frenuar Kinën. Gjeografia është një faktor – ShBA-ja ka një breg paqësor dhe angazhime strategjike në Taivan, aty ku Britania dhe Franca, përkundër kapadaillëkut detar, janë veç pak më shumë se spektatorë. Ka edhe një dallim konceptual po ashtu. Siç e ka thënë një diplomat, Evropës nuk i pëlqen se çka bën Kina, e ShBA-ve nuk i pëlqen se çka është Kinë. Ideja e ShBA-ja mund të zëvendësohet si fuqi supreme globale brenda këtij shekulli është ekzistencialisht tmerruese për Vashingtonin.
Fenomeni Trump komponon atë ankth për administratën aktuale të Shtëpisë së Bardhë. Ishte një përvojë si ajo kur je afër vdekjes për rendin kushtetues të Amerikës; një aluzion për vdekshmërinë e modelit politik dhe ekonomik që dukej i pavdekshëm në fillim të shekullit 21. Presidenti amerikan po i bën thirrje liderëve perëndimorë që të shfaqin forcën në solidaritet sepse prospekti i ndarjes, i rënies dhe i diskreditimit të demokracisë është më real se asnjëherë në karrierën e tij pesë-dekadëshe në Vashington.
Gjatë asaj kohe, Bideni ia ka dalë mbanë me durim, diplomaci dhe mirëkuptim të matur. Ai stil i ka dhënë atij audiencën më mirënjohëse në Evropë, por sjellja e mirë e Presidentit nuk duhet të gabohet për butësi; stili modest është në shërbim të një mesazhi më të fortë. Ai nuk po fluturon Atlantikun që të zhytet në nostalgji për aleancat që e fituan Luftën e Parë të Ftohtë. Ai po i bie tamburit për të rekrutuar aleatë për Luftën e Dytë të Ftohtë.