Jo reciklimi i PDK-istëve, por të qenit në skaj iu hakmorr VV-së
Vetëvendosje doli keq nga zgjedhjet e fundit komunale. Jo pse nuk ka pasur e nuk ka kudo në botë shembuj të tillë të rritjes fluturimthi në zgjedhje qendrore e mossuksesit pasues në ato lokale, por për disa arsye tjera. As riciklimi i njerëzve nga PDK e zgjedhja fët e fët e kandidatëve për kryetar komunash nuk kënaqin pyetjen mbi dështimin e VV-së. Kjo ngase këto përbëjnë më shumë pasoja se sa shkaqe. Personalisht prirem që atë që i kulmoi VV-së në këto zgjedhje ta vështroj gjenaologjikisht. Thjesht, Vetëvendosje është krah politik që nuk ka lindur mbi asnjë nga fondamentet e shoqërisë kosovare në tentativë: as mbi familjen e farefisin, as mbi provincën as mbi bizneset e vogla, të mesme, a të mëdha, si dhe vendosmërisht ka qenë indiferente ndaj afilimeve me fetë, apo thënë me fjalë tjera afilimit me gjeokultura në format tifozllëku siç bënë historikisht LDK e PDK. Në eterin e saj ideologjik e programatik VV paradoksalisht ngelet më perëndimorja, madje në stade të modernizmit rigjid, por pa harruar mëkatet e Perëndimit: kolonalizmin, standardet dyfishe etj.
Nuk është e rastësishme që në vitin 2005, vit ky kur VV doli në skenë, po ndërtohej Katedralja e Prishtinës – një apologji të kaluarës së paqenë katolike të vendit, në një kohë kur VV buçiste se Kosova ngjan me Algjerinë e kolonizuar dhe gjëja e fundit që mund të prisje nga ta ishte ndonjë apologji feve. Kësodore fati i popullarizimit të VV-së në fillim, u lidh vetëm për televizionin, internetin, aty-këtu shtypin, shkurt fjala përgjithësisht me lajmet. Më vonë VV u kthye në përthithësen graduale por të sigurtë të pezmit të njerëzve gjë që ndër vite e së fundi në qershorin e këtij viti, i solli edhe rritjen që se priste as vet. Janë një set faktorësh që e kanë kushtëzuar këtë fat të VV-së. Fillimisht, vetë lideri i saj, megjithëse i lindur në Prishtinë nga ana e babait nuk ka prejardhje nga Kosova, por nga Katërkolli i Malit të Zi. E kjo në kontekstet e provincializmave si ky i yni, luan jo pak rol. Në këtë drejtim Kurti ngjan paksa me Qosjen a Arbën Xhaferin apo më saktësisht do i binte t’i ngjante fëmijëve të tyre po të kishin angazhim politik. Sepse këta dy, njëri nga Vuthajt e tjetri nga Tetova asnjëherë nuk u shtëpizuan në Kosovë, e as që Kosova i shtëpizoi ata. Paramendojeni një jetë të përditshme në rritën dhe formimin e Kurtit po të kishte origjinë nga Drenica, Llapi a Dukagjini. Do të duheshin edhe po kaq përpjekje në mënyrë që të jetë ky që është sot.
Së dyti, në lindjen e VV-së më 2005 luajti paksa rol edhe vonesa. Kurti u lirua nga burgu i Serbisë në dhjetor të 2001-tës ndaj lirisht mund të thuhet se atij kaluan nja 3 vite e gjysmë pa e ditur se si do atashohej politikisht. Deri kah viti 2004, me sa s’më tradhton kujtesa ligjërimi i Kurtit nuk u përshkua nga ndonjë ngjyrim i theksueshëm etnicist. Madje në vijë me Demaçin, Kurti apelonte në njëfarë kujdesi emergjent e permanent që shumica shqiptare duhej të tregonte për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Por më 2004 Kurti përkrahi atë qe edhe sot e konsideron “revolta popullore e marsit 2004”, ani pse edhe sot e kësaj dite është fare e dyshimtë në ishte tamam revoltë ajo që ngjau atë vit (në fakt revoltë do të duhej të kishte minimum më 2002 kur edhe skadoi premtimi gojor i Rambujesë për “njohjen e vullnetit të popullit”). Në ndërkohë verzioni tradicionalist-fshatar i nacionalizmit shqiptar në Kosovë i personifikuar deri atëherë me PDK-në e AAK-në disi si përnjëherë më nuk përbënte as hijen e potencës së vet. Kauza shqiptare tek ta tashmë i kishte lëshuar vendin pasurimit personal e klanor si dhe marrjes së pushtetit (kjo e dyta krejt e natyrshme). Kjo periudhë njihet po ashtu edhe si periudha e Pettersenit, kryeadministratorit që të paktën në dukje relaksoi relacionet UNMIK – shqiptarë. E maksimalizimi i politikave radikale (ky term nuk ka konotim pezhorativ siç tingëllon sot) në një vend me vetëdije të ulët politike e kthente Kurtin paradoksalisht në të çmendurin e Niçes me të cilin të gjithë qeshnin. Thuhet se Kurti nuk dëgjoi as ca zëra të brendshëm të ish miqëve të tij për tu afruar me Veton Surroin që tashmë kishte një vit me partinë e famshme ORA (përkundrazi si për të ripërsëritur polemikën Surroi – Demaçi të tetorit 2002 Kurti projektoi Surroi si lojalin më të madh ndër negociatorë).
Kësodore nacionalizmi i befshëm dhe i nënkuptueshëm tradicional-fshatar i PDK-së e AAK-së i bërë tashmë krejt argjil nga pasurimi e eurot, po i mbeste në dorë VV-së. Jo pse dikush kishte apo duhej të kishte pronësi të patundshme mbi nacionalizmin, por për faktin se në rastin tonë pa fshatin qyteti asnjëherë s’dukej se do të gjeneronte revoltë (të vishje ndonjë bluzë me shqiponje kah skutat e “elitistëve” në Prishtinë, Prizren e besa edhe në Mitrovicën e lodhur edhe pas tërë asaj lufte, medoemos do të përbuzeshe e identifikoheshe si katundar). E kalimi nga e nënkuptueshmja/e befshmja tek e nevojshmja përshkon/lë në mes goxha një hon. Sepse singularja (e nënkuptuara në vete dhe për vete) nuk është e nevojshme. Mund të thuash “kam nevojë të ha”, “të pi”, “të shëtisë” etj. por jo edhe “të marr frymë”. Sepse frymë ose merr ose s’merr. Ose je gjallë ose jo (të mos keqkuptohem këtu: nuk po insistoj të nacionalizmi të jetë dimensioni i vetëm i njeriut, por po analizoj shfaqjet e tij në kohë e hapësirë në rastin tonë).
E nënkuptueshmja dhe e nevojshmja dallojnë. E nevojshmja ndonjëherë edhe tharton, e nënkuptueshmja jo. Jo rastësisht njeriu pyet: pse ke nevojë për paterica, e s’ka kuptim të pyet pse ke nevojë për këmbë. E Vetëvendosjen historikisht e hendikepon fakti i të qenit Lëvizje e vonuar dhe e nevojshme, një një kohë kur nënkuptueshëm ndjehej e dihej se çka inkarnon LDK, PDK e AAK, besa edhe ORA. Kjo meqë ishin më të hershme dhe disi për llumin tonë, më të natyrshme. Por deri këtu, nuk është se ishte në duar të njerëzve të VV-së të ngjante diçka ndryshe.
Pika ku nuk reflektoi VV ishte ngulmimi fizik, ideologjik, atashues, quajeni si të doni kryesisht në Prishtinë. Albin Kurti po hyn në 21 vjetorin e tij prejse është aktiv politikisht – anipse Lëvizja ka 9 vite më pak ekzistencë – dhe duket se akoma nuk e ka bërë pyetjen e duhur: a mos është duke e pasuar koncentrimin e gjithçkaje në Prishtinë, produkt ky i kapitalizmit shtetëror (“state capitalism”) që prodhoi centralizmi jugosllav? Nuk mundesh në të njëjtën kohë ta konsiderosh Kosovën rast kolonoalist, e në të njëjtën kohë të frymosh, veprosh, propagosh, vegjetosh pikërisht nga vendi që u ngrit në stad nukluesi të vendit nga i konsideruari kolonalist. Kurti si produkt i padashur i semiurbanizimit jugosllav do të duhej ta pyeste veten sa herë ka qenë në Mitrovicë, Dragash, Rahovec, Vushtrri, Viti, Shtimje, Skënderaj deri më 1997 kur nis odiseada e tij politike. Dhe nëse po, si/për çka? Me eskurzione të Shkollave Fillore? Apo anasjelltas: sa herë mund të ketë qenë Ramiz Lladrovci, Hamëz Jashari, kandidati i VV-së për Kaçanik (vend ku në këtë fushatë Kurti premtoi kinema) në Aktash a Kurriz deri më 1997. Ndryshe Lëvizjen do e përcjell kthimi në një vorbull të madh kontradiktash: thirrja në të varfërit – debakli në qytetet/qytetëzat më të varfëra e fitorja në Prishtinë!Thirrja në de-industrializmin e vendit – e dalja si të tretë/katërt në Obiliq, Mitrovicë, Gjakovë. Thirrja në nacionalizëm në njërën anë e mosçuarja më tej e rastit Rikallo, për më tej vota për mosshkarkim të tij, posa u pa gatishmëria e Haradinajt ta mbajë në kabinet…
Për fund fare: reciklime gjithmonë do të ketë. Një vend krejtësisht provincial, e me formacion bazë familjen natyrisht se përçon kah reciklimet. Dhe është pafytyrësi në vete t’ia atribuosh vetëm VV-së damkën e reciklimeve e të mos shikosh plot shembuj që ofrojnë partitë tjera. Fundja pse të shihen reciklime Rexhep Selimi a Hydajet Hyseni nga PDK në VV e të mos shihet reciklim Bajram Mulaku nga LDK në PDK e që s’është shembulli i vetëm. E rëndësishme është që reciklimet të mos prapësojnë rrugëtimin e nisur për ndryshim.