“Jemi në thelb djallëzorë, egoistë dhe të neveritshëm”

Periskopi.com Intervista

Intervista e Slavoj Zizek për the Guardian, një vit e kusur më parë, në të cilën flet për veten si një baba i keq, sesi është bërë më agresiv dhe sesi të shkruarit ia ka shpëtuar jetën

Të gjithë ne jemi në thelb njerëz të këqij, egoistë e të neveritshëm. Merrni torturën, për shembull. Unë jam realist. Nëse do të kisha një vajzë dhe dikush do ta kidnaponte atë, dhe do ta gjeja ndonjë shok të kidnapuesit, atëherë s’mund të them që nuk do ta torturoja atë djalë.

Jam bërë më agresiv me kalimin e kohës. Disa thonë që unë përkas te e djathta, gjë që absolutisht nuk qëndron. Sa i përket krizës së refugjatëve, ne duhet të heqim dorë nga patronizimi “Ata [refugjatët] janë njerëz të mirë.” Jo, mes tyre ka edhe vrasës, siç ka edhe në mesin tonë. Ndalesa e së majtës liberale për të shkruar keq për refugjatët, rezulton në monopolizimin e kësaj gjëje nga e djatha që është kundër emigracionit.

Unë nuk jam një baba i mirë. Ka diçka qesharake në mbrojtjen e dinjitetit tim të cilës automatikisht i rezistoj. Djali im tinejgjer e identifikon me këtë përpjekjen për të minuar autoritetin tim. Kur ishte 14 vjeçar, unë isha i zemëruar me të dhe ia thashë një sharje vulgare në sllovenisht: “Ta qiftë qeni nënën.” Ai më ishte përgjigjur: “Kjo tashmë ka ndodhur 15 vjet më parë. Kështu u linda unë.”

Shokët më thërrasin Fidel. Jo për shkak të politikës, por për shkak se flas shumë. E kam vizituar Kubën njëherë, dhe në TV, pashë Fidel Castron duke hyrë në një takim e duke thënë: “Shokë, për pesë minuta do t’i bëj disa vërejtje.” Unë rashë të flija, dhe kur u zgjova pesë orë më vonë, ai po vazhdonte të fliste.

E urrej arrogancës e korrektësisë politike. Me shokët e zi, në kontrast ndaj të bardhëve politikisht korrekt, unë kam kontakte reale. Qysh? Përmes tregimeve të ndyra, shakave të ndyra. Kur e vizitoni një shtet të huaj, mund të luani bashkë e të flisni për ushqime dhe muzikë interesante, por si bëheni vërtetë shokë? Duke ndarë gjëra të turpshme.

Nuk mund të kem takime njënatëshe me gra. Në qytetin tim, Ljubjanë, ju mund ta dini saktë se me cilat gra kam fjetur unë, sepse me to edhe kam qenë i martuar.

Do të ishte e tmerrshme po të thoja se e dua Isis-in. Por shihni organizatën e tyre me identitetin fluid postmodern. Ka njëfarë tendence emancipuese të fshehtë në islam; një historian i mrekullueshëm mysliman i filozofisë bëri pretendimin se Shën Akuini e kishte keqlexuar Aristotelin nën influencën e poetëve islamikë si Avicenna, e cila i hapi rrugë modernitetit, të drejtave të gejëve e kështu me radhë.

Prindërit nuk i kisha të rreptë, por ishin shumë patronizues. Nuk më pëlqenin. Të dy vdiqën në spital gjatë natës, dhe kur e mora vesh nga një thirrje telefonike të nesërmen në mëngjes, isha para kompjuterit tim duke punuar. Thashë: “A janë bërë të gjitha përgatitjet? Ok, në rregull,” dhe vazhdova tutje. U ndjeva krejt i ftohtë – diçka nuk funksiononte. Nuk po i gëzohem kësaj gjëje.

Hollywoodi di gjithçka. Është i obsesionuar me distopitë, si Elysiumi apo The Hunger Games. Vërtetë mendoj që ndonjëra prej tyre mund të jetë e ardhmja jonë. Të rinjtë e sotëm duhet të përgatiten për katastrofën e madhe, por të angazhohen sesi ta mendojnë atë, sesi të angazhohen në problemet e përditshme lokale, dhe jo të arratisen në moralizma.

Të shkruarit më shpëtoi jetën. Disa vite më herët, shkaku i disa telasheve private me dashurinë, isha në njëfarë gjendje kur mendoja për vetëvrasjen. I thoja vetes: “Mund ta vras veten, por e kam një tekst që duhet ta përfundoj. Së pari do ta përfundoj, e më pas do ta vras veten.” E më pas kishte një tekst tjetër, e kështu më radhë e kështu më radhë, dhe ja, i gjallë jam sot.