Javën e ardhshme, Shqipëria hap kapitujt e ri të negociatave për anëtarësim në BE

Javën e ardhshme, Shqipëria hap kapitujt e ri të negociatave për anëtarësim në BE

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i hapur dy kapituj të rinj të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, si dhe për t’i mbyllur tre kapituj me Malin e Zi, njoftoi të premten presidenca hungareze e Këshillit të BE-së.

Kjo do të bëhet gjatë konferencave ndërqeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi më 16 dhjetor, si dhe me Shqipërinë një ditë më vonë.

Presidenca hungareze shtoi se ambasadorët e vendeve të bllokut miratuan qëndrimin e përbashkët të BE-së për hapjen e kapitujve 30 dhe 31 në negociatat me Shqipërinë, si dhe për mbylljen e kapitujve 7, 10 dhe 20 në negociatat me Malin e Zi.

Mali i Zi shpresonte se do t’i mbyllte katër kapituj, por Kroacia e bllokoi mbylljen e kapitullit 31, i cili ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Radio Evropa e Lirë raportoi kohë më parë, duke cituar disa burime në Bruksel, se në konferencën e ardhshme ndërqeveritare, Mali i Zi me gjasë do t’i mbyllte tre kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Të premten pasdite u mbajt një takim i ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ku pjesëmarrësit duhej të pajtoheshin për tekstin e konkluzioneve përfundimtare për zgjerimin dhe të vendosnin për numrin e kapitujve që do të mbyllte Mali i Zi, si dhe për ata që do t’i hapë Shqipëria javën e ardhshme.

Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli është i nevojshëm pëlqimi i të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian.

Kapitulli 30 për Shqipërinë ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme, ndërsa ai 31 me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Në tetor, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Hapja e kapitujve për Shqipërinë erdhi pas një pritjeje të gjatë, pasi ajo kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe e kishte marrë statutin e vendit kandidat më 2014.

Ndërkohë, Mali i Zi do t’i mbyllë përkohësisht kapitullin 7, të drejtat e pronësisë intelektuale; kapitullin 10, shoqëria e informacionit dhe media; dhe kapitullin 20, politikat e biznesit dhe industrisë.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre, pasi i hapi negociatat për anëtarësim më 2012.

Pas disa vitesh stagnimi, ky vend i rinisi negociatat në qershor të këtij viti dhe javën e ardhshme do t’i mbyllë edhe tre kapituj të tjerë./Radio Evropa e Lirë/

Shpërndaje në: