Jashtë do të ishte i gjallë!

E dëgjova dikënd duke konstatuar se vendimet për paraburgim nga gjykatat në Kosovë lëshohen si recetë e barnave për pacientët me grip sezonal. A është kjo një praktikë më e lehtë për ta përmbushur normën mujore?
Me dispozitat e Kodi të Procedurës Penale është saktësuar qartë kur është i nevojshëm dërgimi i të dyshuarit/akuzuarit në qendrën e paraburgimit. Konkretisht Neni 173 përcakton masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë. Gjyqtari në nxjerrjen e aktvendimit për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale duhet të sigurohet që masa e shqiptuar të mos jetë me rëndë kur ekziston ajo më e lehtë. Nuk e kam parë arsyetimin e gjykatës, por në rastin e arrestimit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjykata mori vendim të pabazë. Tre aktivistë në arrest shtëpiak e tre të tjerë në qendra të paraburgimit, të tre të shpërndarë në qendra të ndryshme në Kosovë.
Përkundër faktit se këtu kemi të bëjmë me njerëz që asnjëherë nuk e kanë braktisur vendin dhe asnjëherë nuk janë fshehur për shkak të veprave penale politike të mëhershme. Pra, nuk ekziston asnjë ikje nga vendi i ndonjërit nga aktivistët për veprimet politike të tyre. Kjo për gjykatën do të duhej të ishte arsyetim se “të pandehurit” nuk do ta bratisnin vendqëndrimin. Pra, kufizimi i lirisë jo domosdoshmërisht do të duhej të shkohej në vendimin për paraburgim. Kjo është e saktësuar edhe me Nenin 187 të KPRK, ku masat më të buta do të ishin të mjaftueshme për të siguruar të pandehurin në procedurë. Me këtë dispozitë është e saktësuar qartë se gjykata duhet të ketë parasysh në një aktvendim të tillë vetëm në rastet kur përmbushet njëri nga këto kushte
“kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.”
Gjykata nuk veproi drejtë as kur i vazhdoi masat për paraburgimin e tre aktivistëve dhe tre të tjerëve në arrest shtëpiak. Ajo nuk i zëvendësoi me masën më të lehtë. Dhe krejt pas kësaj a kanë mundur të iknin tre aktivistët nga arresti shtëpiak e të fshihen? Po! A e kanë bërë një gjë të tillë? Jo! Nga aktvendimi i parë për masat e tyre, respektimi i masës së arrestit shtëpiak nga Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Petrit Ademi do të duhej të ishte arsyetim i ligjshëm që Astrit Dehari, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi t’iu vendoset masa më e butë. Por në rastet kur në procedurë janë aktivistë të LV-së, gjykata është arbitrare duke i përjashtuar faktet dhe të dhënat e tjera. Pra, a mund ta dëshmojë gjykata se cilat prova penale u tentua të fshihen, të asgjësohen, të ndryshohen apo të falsifikohen nga këta tre të rinjë nga par. 1.2.2 i Nenit 187, pra nga aktivistët që tashmë ndodhen në arrest shtëpiak?
Përveç në aktivitetet publike të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku aktivistët e arrestuar prokurorisë dhe gjykatës ia kanë bërë të qartë që nuk i përgjigjen ftesës për t’u paraqitur në procedurën penale, në rastin e akuzave për sulm ndaj Kuvendit, po këta aktivistë nuk kanë treguar dyshim për mos paraqitjen e tyre në procedurë, as shmangies së kontaktit me organet shtetërore apo me qytetarë, as rrezik te ikjes së tyre. Përkundrazi, njëri nga të arrestuarit Frashër Krasniqi është zëdhënës dhe komunikimin me publikun e ka bërë edhe përmes televizionit. Pra, gjykata ishte dhe është e vetëdijshme se aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk përbënin rrezik për ikje nga vendi.
Nëse e shohim edhe Kodin e Procedurës Penale të Gjermanisë, konkretisht Neni 112, Pranueshmëria e paraburgimit dhe baza për arrestimin e të akuzuarve, paragrafi 2.2 saktësohet se paraburgimi mund të vendoset nëse ekziston dyshim i bazuar se i akuzuari i shmanget procedurës penale përmes fluturimit. Dhe në këtë rast gjykata ka mundur të aplikojë par. 2 të Nenit 176 të KPRK-së, duke ia konfiskuar dokumentin e udhëtimit. Po ashtu gjykata ka mundur të aplikojë edhe për Astritin, Egzonin dhe Atdheun masën e arrestit shtëpiak si kufizim i lirisë i të pandehurve duke e konsideruar të mjaftueshëm për praninë e tyre në procedurën penale. Kësisoj gjykata ka mundur të sjell aktvendim për përdorimin e pajisjeve të mbikqyrjes teknike në mënyrë që të sigurohet zbatimi i arrestit shtëpiak.
Në këtë mënyrë gjykata duke shkeluar standardet minimale të ushtrimit të funksionit të saj, me privimin e lirisë nuk e ka trajtuar me humanizëm dhe respekt dinjitetin e të akuzuarve, duke vendosur paraburgim të paarsyeshëm, për çka ka dërguar edhe në vdekjen e Astritit.
Naim Jakaj
Koordinator i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendi i Republikës së Kosovës
Shkrimi është ekskluziv për Periskopi.com