Jasharaj kërkon që në këtë vit MASHTI-i t’i furnizojë nxënësit me tekste shkollore

Jasharaj kërkon që në këtë vit MASHTI-i t’i furnizojë nxënësit me tekste shkollore

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që furnizimi me tekste shkollore sivjet të bëhet nga MASHTI-i, duke i dërguar tekstet shkollore në shkolla.

Ai e kishte kundërshtuar vendimin e vitit të kaluar të ministres Arbërie Nagavci që prindërit t’i blinin tekstet shkollore dhe më pas të rimbursoheshin nëpërmjet platformës e-Kosova.

SBASHK-u njoftoi të enjten se Jasharaj është takuar me zëvendësministrin e Arsimit, Taulant Kelmendi, me të cilin diskutuan për kërkesat e mësimdhënësve dhe mundësinë për realizimin e tyre.

Sindikata ka bërë të ditur në Facebook se kryesindikalisti ka kërkuar edhe rritjen e koeficientit për mësimdhënësit dhe të plotësohen të gjitha kërkesat. Në komunikatë u tha se Kelmendi ka premtuar se do t’i shqyrtojë me kujdes ato.

“Kryetari i SBAHSK-ut, z. Rrahman Jasharaj, kërkoi nga Kelmendi që takime të tilla mes MASHTI-t dhe Sindikatës të ketë më shpesh ngase sipas tij në këtë mënyrë mund të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve dhe zgjidhen problemet aktuale në arsim. Kryetari Jasharaj kërkoi që furnizimi me tekste shkollore këtë vit të bëhet nga MASHTI duke i dërguar tekstet shkollore në shkolla si dhe të ketë libra të rinj për të gjithë nxënësit e nivelit fillor dhe të mesëm të ulët, pra nga klasa 1 deri 9”, thuhet në komunikatë.

Aty u bë e ditur se MASHT-i po i bën përgatitjet për vitin e ri shkollor.

Shpërndaje në: