Ja sa minuta duhet të ushtroheni për të qenë të shëndetshëm, këshillon OBSH
Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që të kryeni aktivitet fizik. OBSH publikoi udhëzime të reja për aktivitetin fizik duke rekomanduar që të rriturit të ushtrohen të paktën 150 minuta, me ushtrime të moderuara ose të fuqishme çdo javë. Rekomandimet e reja të aktivitetit fizik të OBSH-së vijnë në një kohë kur pandemia e koronavirusit vazhdon në të gjithë botën dhe mbipesha ose obeziteti është shoqëruar me një rrezik në rritje të sëmundjes.
OBSH më parë ka rekomanduar që të rriturit e moshës 18 deri 64 vjeç të bëjnë të paktën 150 minuta ushtrim të moderuar ose minimumi 75 minuta ushtrim të fuqishëm çdo javë, por rekomandimet e mëparshme janë bërë për të rriturit e shëndetshëm. Rekomandimet e reja përfshijnë edhe njerëzit që kanë sëmundje kronike ose nevoja të veçanta.
“Të qenit aktiv fizikisht është kritike për shëndetin dhe mirëqenien – mund të ndihmojë të shtoni vite jetë,” tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus në një njoftim për shtyp. “Të gjithë duhet të lëvizim çdo ditë – në mënyrë të sigurt dhe kreative.”
Çfarë duhet të bëjnë fëmijët dhe adoleshentët
Fëmijët deri në 17 vjeç kanë nevojë për të paktën 60 minuta ushtrim të moderuar çdo ditë, sipas rekomandimeve të reja. Aktivitetet duhet të jenë kryesisht aerobi, vrapim ose biçikletë. Aktivitetet që forcojnë muskujt dhe kockat janë gjithashtu të nevojshme.
Çfarë duhet të bëjnë të rriturit
Për të rriturit deri në moshën 64 vjeç, 150 deri në 300 minuta aktivitet të moderuar, ose të paktën 75 minuta ushtrime intensive në javë mund të zvogëlojnë rrezikun për vdekje të hershme, sëmundje të zemrës, hipertension, kancer dhe diabet të tipit 2, shkruhet në raport.
Këshilla për gratë shtatzënë dhe ato pas lindjes
Qëndrimi aktiv gjatë dhe pas shtatzënisë ka përfitime si për nënën ashtu edhe për foshnjën, përfshirë rrezikun e zvogëluar të diabetit gestacional, komplikimet e lindjes dhe depresionin pas lindjes. Nëse gratë shtatzëna dhe ato pas lindjes nuk kanë probleme themelore ose ndërlikime, thuhet në raport, duhet të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitete të moderuara aerobike dhe forcuese çdo javë. Stretching (shtrirja e muskujve) mund të jetë e dobishme dhe qetësuese. Por, gratë shtatzëna duhet të sigurohen që janë të hidratuara, duke shmangur aktivitete të rrezikshme fizike dhe të jenë të vetëdijshme për çdo shenjë paralajmëruese të problemeve. Këto përfshijnë ndjenjën e marramendjes, kontraktimet e dhimbshme ose gjakderdhjen vaginale.
Udhëzime për njerëzit me sëmundje kronike
Një mënyrë jetese e shëndetshme është e mundur edhe nëse keni sëmundje kronike, thekson raporti i OBSH-së. Për aq sa janë në gjendje, njerëzit me sëmundje kronike duhet të bëjnë të paktën 150 deri 300 minuta gjimnastikë të moderuar në javë. Disa herë në javë, ata duhet të bëjnë ushtrime forcuese dhe ekuilibri për të qenë më mirë dhe për të parandaluar rëniet.
Këshilla për njerëzit me nevoja të veçanta
Për fëmijët me nevoja të veçanta, fizike ose mendore, zbatohen udhëzimet e pediatrit ose specialistit të tyre.
Burimet: CNN, Healthline