Ja qysh u mposht bindshëm Erdogani

Ja qysh u mposht bindshëm Erdogani

Është bërë një javë që kur Ekrem Imamoglu mori detyrën e kryetarit të Stambollit në zgjedhjet e përsëritura lokale, dhe domethënia e fitores së tij bindëse është më e rëndësishme se sa që është kuptuar gjerësisht. Kandidati i Partisë Republikane Popullore [CHP] iu ka dhënë shpresë jo vetëm qindra e mijëra stambollasve që i mbushën rrugët me gëzim dhe miliona turqëve, përfshirë mua, që e shikoja nga larg. Fitorja e Imamoglut po ashtu ofron themelet e kurës për vendet e tjera që vuajnë nga i njëjti helm politik që po e hante demokracinë turke nga brenda: populizmi.

Në librin e tij Çka është populizmi?, politologi Jean-Werner Müller [Myller] e ka një definicion të thjeshtë por ndihmues për fenomenin në fjalë. Populizmi vjen nga fjala latine populus, apo ‘populli’ thotë ai, dhe liderët populistë pretendojnë të reprezentojnë “popullin,” por me një kusht krucial: “Veç një pjesë e popullit e përbëjnë në të vërtetë popullin.” Pjesa tjetër është e përbërë nga elita të korruptuara dhe të degjeneruar e pashpirt, apo tradhtarë brenda “popullit” që i shërbejnë interesave legjitime dhe skemave të errta.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan [Erdoan] e ka perfeksionuar këtë narrativë populiste në gjashtë vitet e kaluara, pas një periudhe më të butë e më pragmatike që e shenjoi periudhën e hershme të tij në pushtet. Ai ka pretenduar se do ta bënte Turqinë të madhe e myslimane sërish pas një shekulli të kaluar në egërsinë sekulare. Dhe prej që po arrin diçka kaq madhështore, të gjitha fuqitë e këeqija që e udhëheqin botën – CIA, Mossadi, Gjorgj Sorosi, shumë zionistë të caktuar – po gatuanin konspiracione që ta pengonin atë, dhe të gjithë patriotët turkë duhej të rreshtoheshin pas tij. Ata që nuk duan të rreshtohen portretizohen si të dobët, destabilizues dhe që e tradhtojnë Turqinë e re e madhështore.

Është brenda kontureve të kësaj narrative që Erdogani i ka quajtur partitë e koalicionit opozitar si “zillet ittifaki,” apo “aleanca e poshtërimit,” që sipas tij “po përpiqeshin ta përçanin vendin tonë.” Ministrat e tij në vazhdimësi e ofenduan opozitën se shkonte në shtrat me “terroristët.” Mediat pro-Erdogan kanë bërë lajme të panumërta, storje, opinione, dhe talk show që i sulmonin partitë opozitare se e kishin formuar një “aleancë të tradhtisë” apo një “aleancë të kryqtarëve.”

Më dramatikja, gjyqësore, pavarësia e të cilit është gërryer gradualisht nga ekzekutivi, e adaptoi këtë narrativë dhe veproi përmes saj. Termi “Mastermind” – një qendër botërore e imagjinuar e konspiracionit – u paraqit në aktakuzat legale. Nën një gjyqësor të tillë partiak, protestat anti-qeveritare që duhej të ishin të ligjshme në një demokraci reale, të tilla si ato në Gezi Park në vitin 2013, u kriminalizuan si një tentim-puç. [Aktivisti i shoqërisë civile dhe filantropisti Osman Kavala ka qenë në burg që nga tetori i vitit 2017 për organizimin e këtyre protestave, dhe ai është vetëm njëri ndër mijëra të burgosurit politikë në burgjet turke.]

Skena e zyrtë në Turqi tregon se sa larg mund të shkojë populizmi, veçanërisht në vende me institucione të dobta, me përçarje të thella, dhe me një kulturë politike joliberale. Kjo mund të jetë arsyeja pse në demokraci fragjile që janë të ngjashme me Turqinë në këto aspekte – si Hungaria dhe Polonia – populizmi po ashtu bëri përparim brengosës. Në Shtetet e Bashkuara, intituticonet e së cilës mbesin të forta, populizmi, për fat të mirë, mbetet vetëm retorik. Me fjalë të tjera, kur Trumpi e sulmon një media kritike si “armike e popullit,” prokurorët nuk fillojnë ta përndjekin atë medium bazuar në fjalët e presidentit. Megjithatë, do të ishte mençuri sikur amerikanët të ishin të vëmendshëm për këto gjëra.

Këtu është një pikë kyçe: Imamoglu e mposhtu populizmin duke fituar disa nga votuesit që dikur e mbështesnin partinë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] të Erdoganit.

Filimisht, me personalitetin e tij, Imamoglu lidhi ndarjen e vjetër të sekularëve me religjiozët që ka qenë vija fundamentale në politikën turke për më shumë se një shekull – pakashumë reminishent me ndarjen mes konservatorëve dhe liberalëve në ShBA. Sekularët, që e kishin pushtetin përgjatë pjesës më të madhe të shekullit 20, i kanë tjetërsuar konservatorët me laicitetin e tyre joliberal, apo me sekularizmin francez, implikimet e të cilit përfshinin ndalimin e ezanit për ata që luteshin dhe ndalimin e shamive të grave. Dhe CHP-ja, partia që tradicionalisht e ka shpërndarë këtë sekularizëm rigjid, ka qenë armikja e konservatorëve.

Por, Imamoglu nuk ishte politikani tipik i CHP-së. Pikë së pari, mbiemri i tij do të thotë “djali i imamit”. Ai është një besimtar, dhe bile mjaft serioz: Pas masakrës në dy xhami gjatë muajit mars në Christchurch të Zelandës së Re, ai shkoi në një xhami dhe e lexoi me zë të lartë një kapitull të tërë të Kuranit për të nderuar viktimat – një veprim tepër i pazakontë për një politikan të CHP-së. Gruaja e tij nuk mban shami, por nëna e tij po. Dhe kur gruaja e kundërkandidatit të tij, Semiha Yildirim, u përqesh nga sekularistët për dukjen e saj, ishte gruaja e tij, Dilek Imamoglu, që i kundërshtoi duke thënë, “Në të, unë e shoh nënën time, motrën time.” Semiha më pas e kishte falenderuar Dilekun.

Mesazhe të tilla e ndihmuan Imamoglun që të thyente imazhin e një sekularisti hundpërpjetë që i sheh nga lart poshtë njerëzit e fesë. Ky mund të jetë një mësim për liberalët dhe progresivët amerikanë, disa prej të cilëve kanë tendencat që t’i shohin pikërisht nga lart poshtë një pjesë të madhe njerëzish.

Imamoglu po ashtu u tregua i mençur duke e lexuar lojën e Erdoganit, dhe e cila është polarizimi, duke refuzuar që të merrte pjesë në të. Së pari, ai nuk ra në gabimin e pasqyrimit të propagandës urrejtëse që lëshohet ndaj Erdoganit prej palës tjetër. Në vend se të dënonte për tradhti të lartë partinë qeverisëse dhe duke e kërcënuar me hakmarrje sapo ta merrte pushtetin – siç kanë bërë disa opozitarë në Turqi për kohë të gjatë – Imamoglu tha se donte të punonte me qeverinë në harmoni nëse do të bëhej kryetar i Stambollit. Sllogani i tij elektoral ishte mesazh i shpresës “Çdo gjë që do të bëhet mirë.” Duke e mbajtur fjalimin e tij të fitores, ai iu tha mbështetësve të tij: “Nuk do ta ofendojmë askënd, nuk do t’ia thyejmë zemrën askujt.”

Me këtë “dashuri radikale”, siç e ka përshkruar një artikull i gazetës Atlantic, Imamoglu e kishte të mundur që të fitonte vota që kulturalisht do t’i shkonin Erdoganit, por që ishin lodhur prej tij.

Mund të ketë një tjteër mësim për liberalët amerikanë: Nëse duan ta mposhtin Trumpin, strategjia e duhur nuk është të përdorin të njëjtën retorikë luftuese që shihet në të djathtën ekstreme, por të përdorin atë të moderimit dhe civilitetit. Strategjia e duhur, po ashtu, është edhe të mos shkosh shumë në të majtë në një garë të brendshme për pastërti ideologjike, por krejt e kundërta, të shkosh më në qendër.

Çka do të ndodh tash në Turqi? Imamoglu duhet të dëshmohte se di ta udhëheqë mirë Stambolin, ta konsolidojë popullaritetin e tij të sapokrijuar. Mund të presim që qeveria qendrore nuk do të jetë aq miqësore, siç po i shohim menjëhershëm përpjekjet e AKP-së për të kapur pushtetin nga kryetarët e zgjedhur.

Ndërkohë, do të kemi një tjetër sfidë për Erdoganin: Disa prej njerëzve të tij më të rëndësishëm që e ndërtoi suksesin e AKP-së – ish presidenti Abdullah Gul dhe ish cari ekonomik Ali Babacan – do të krijojnë partinë e re, duke e bërë kështu çarjen më të madhe në kampin konservator në dy dekadat e fundit. Ajo do të jetë një parti që do të “prioritetizojë reformat ekonomike dhe do të kërkojë riparimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n,” sipas një raporti nga sajti i lajmeve Ahval. Kjo është, që ta bëjmë një tjetër analogji me ShBA-në, versioni i Turqsë për ata që po bëjnë kampanjën Never Trump [Kurrë më Trump] në mënyrë që të veprojnë së bashku.

Është e mundshme që Erdogani do të provojë t’i ndalë këto forca të reja në politikën turke aq sa mundet. Por përpjekjet e tij mund të jenë kundër-produktive, siç ishte rasti me zgjedhjet e përsëritura në Stamboll ku pësoi humbje të rëndë. Dhe me një ekonomi gjithnjë në rënie, Erdogani mund t’i humbë edhe zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme – në vitin 2023, nëse jo më herët.

Kësisoj, eksperimenti turk me populizmin ekstrem është e mundur të vazhdojë edhe në pak vite në vazhdim, por jo përgjithmonë. Dhe tash e kemi një sens të asaj se si mund t’i vijë fundi – jo përmes helmit populist të urrejtjes radikale, por më shumë përmes dashurisë radikale. /Periskopi

Shpërndaje në: