Ja përse e Majta nuk mund ta mbështes Pavarësinë e Katalonisë

Ja përse e Majta nuk mund ta mbështes Pavarësinë e Katalonisë

Një prej shenjave të qarta të oportunizmit politik, është ajo që në paralele me fizikën e grimcave, mund të quhet korelacionizmi politik.

Le të imagjinojmë sikur unë dhe armiku im, që të dy, mbajmë në duart tona nga një top, i cili mund të jetë ose i bardhë, ose i zi, por asnjëri prej nesh nuk e sheh ngjyrën e tij. Sikur poashtu, asnjëri prej nesh nuk lejohet të shikojë topin që ka në duar, kështuqë, ne i kemi katër mundësi: bardh-bardh, zi-zi, zi-bardh, dhe bardh-zi.Tani le të supozojmë që për ndonjë shkak, të dy e dimë që dy topat (njërin në dorën time, dhe njërin në dorën e armikut tim) janë të kundërt në ngjyrë – në këtë rast, janë vetëm dy mundësi (zi-bardh dhe bardh-zi). Dhe, sikur rastësisht, unë e di ngjyrën e topit në dorën e armikut tim. Unë, automatikisht do ta di edhe ngjyrën e topit tim – sepse dy topat janë në korelacion me njëri-tjetrin. (Kjo ndodh kur grimcat janë të ndarë dhe spinët e tyre mbeten të korelatuara – nëse e mas spinin e një grimce, e di për rrjedhojë spinën e tjetrës.)

Diçka e ngjashme zakonisht ndodh në (më së shumti në të Majtën) politikë. Kur nuk jemi të sigurtë se çfarë pozicioni duhet të mbajmë në një krizë të caktuar politike, dhe kur e mësojmë pozicionin e kundërshtarit, atëherë automatikisht e marrim një pozicion të kundërt. Dikush mund të thotë se Lenini ka ofruar një kritikë të rreptë të këtij qëndrimi (ironikisht duke e sulmuar Rozë Luksemburgun). I tillë ishte rasti me Luftën e Ftohtë kulturore kur, në fund të viteve 1940-të, kultura Perëndimore perceptohej si promovuese e kozmopolitanizmit Univerzalist (nën influencën hebreje), Komunistët pro-Sovjetik (nga BRSS-ja deri në Francë) vendosën të bëheshin patriotë, duke promovuar traditën e tyre kulturore dhe duke e sulmuar imperializmin. Pra, vetëm sa për të qenë kundër kozmopolitanizmit Univerzalist të Perëndimit.

A nuk po ndodh diçka e ngjashme edhe me reagimin ndaj referendumit Katalonas? Kujtoni sesi Putini deklaroi se dezintegrimi i Bashkimit Sovjetik ishte një megakatastrofë? Tash, ai po e mbështet pavarësinë e Katalonjës. E njëjta ngjan me të gjithë majtistët evropjanë që e kundërshtuan dezintegrimin e Jugosllavisë si rezultat të komplotit të errët mes Gjermanisë dhe Vatikanit. Tash në Katalonjë, ashtu si edhe në Skoci, ndarja konsiderohet e pranueshme.

Dhe as liberalët centristë perëndimor nuk janë më të mirë: gjithnjë të gatshëm të mbështesin secilën lëvizje separatiste që e kërcënon fuqinë gjeopolitike të Rusisë, ata tashmë po deklarohen kundër kërcënimit të unitetit të Spanjës (dhe me hipokrizi e dënojnë dhunën policore kundër votuesve katalanas, natyrisht).

Në Slloveni, vendin tim, ky konfuzion e ka mbërritur kulmin: e Majta e vjetër që deri në fund ishte kundër pavarësisë së Sllovenisë, duke e kërkuar një Jugosllavi më të hapur e më të rinuar, tanimë po organizon peticione dhe demonstrata pro Katalonisë, derisa e djathta nacionaliste që luftoi për pavarësinë e Sllovenisë heshturazi avokon për unitetin e Spanjës (derikur kryeministër i Spanjës të jetë kolegu i tyre konservtor Mariano Rajoy).

Ne thjesht mund të themi: turp për institucionet evropjane – qartë, disa e kanë të drejtën për sovranitet e disa të tjerë jo, varësisht nga interesat gjeopolitike…

Një argument kundër pavarësisë së Katalonjës megjithatë duket mjaft racional: a nuk është mbështetja e Putinit për pavarësinë e Katalonisë qartësisht pjesë e strategjisë së tij për të forcuar Rusinë duke punuar njëkohshëm për dezintegrimin e unitetit evropjan? A duhet kësisoj që mbështetësit e një Evrope të bashkuar e të fortë të avokonin për unitetin e Spanjës?

Këtu, mund të guxojmë që të kthejmë argumentin përmbys. Mbështetja e unitetit të Spanjës, mund të thuhet që është pjesë e lëvizjes që po ngrihet vazhdimisht për fuqizimin e kombeve kundër unitetit evropjan. Çfarë duhet për të akomoduar sovranitetet e reja lokale (të Katalonisë, Skocisë e kështu me radhë) është thjesht një Bashkim Evropjan më i fuqishëm – kombet duhet ta mësojnë vetveten për një rol më modest si ndërmjetës mes autonomive rajonale dhe Evropës së Bashkuar. Në këtë kuptim, Evropa mund të shmangë konfliktet dobësuese mes shteteve dhe të forcohet si një agjent ndërkombëtar, në skemën me blloqet e tjera të mëdha gjeopolitike.

Përktheu dhe përshtati: Periskopi

Shpërndaje në: