Izraeli paralajmëron se sulmi ndaj Iranit do të jetë “vdekjeprurës” dhe “befasues”

Izraeli paralajmëron se sulmi ndaj Iranit do të jetë “vdekjeprurës” dhe “befasues”

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të mërkurën se sulmi i Izraelit kundër Iranit do të jetë “vdekjeprurës, i saktë dhe befasues”.

Ai i bëri këto komente teksa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bisedoi të mërkurën përmes telefonit me presidentin amerikan, Joe Biden.

Biseda telefonike, e konfirmuar nga të dy shtetet, ishte e para mes Bidenit dhe Netanyahut prej muajit gusht dhe përkon me përshkallëzimin e madh të konfliktit të Izraelit me Iranin dhe me Hezbollahun, grupin libanez të mbështetur nga Irani.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Lindja e Mesme është në teh pasi Izraeli është zotuar se do të përgjigjet ndaj Iranit për sulmin raketor që Teherani e kreu ndaj tij në shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake të Izraelit në Liban.

Raportohet se sulmi iranian nuk shkaktoi viktima në Izrael dhe Uashingtoni e quajti të paefektshëm.

Shpërndaje në: