Isufi i kthen përgjigje LDK-së, tregon edhe nëse i kanë siguruar votat për Demarkacionin

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, e ka quajtur si demokratike kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

“LDK-ja ka kërkuar korrigjimin apo rrëzimin e Qeverisë, dhe kjo në botën demokratike është legjitime”, ka deklaruar Isufi në një prononcim për Periskopin.

I pyetur lidhur me sigurimin e votave të mjaftueshme për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend, Isufi ka treguar se për këtë gjë janë diskutuar me të gjitha partitë politike, dhe tregon se çështja ka ngecur në një numër shumë të vogël të votave, raporton Periskopi.

“Partitë politike janë në konsultim e sipër dhe në momentin që kur do të arrijnë pajtueshmëri, do të ratifikohet Demarkacioni. Problemi është tek mungesa e pak votave të cilat do të kishin siguruar aprovimin e Demarkacionit, dhe për këtë po bëhen bisedimet”, ka thënë Ahmet Isufi për Periskopin.

Sa i përket bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me sigurimin e votave për Demarkacionin, Isufi ka thënë se është duke u biseduar, megjithatë mbetet të shihe në ditët në vijim se çfarë do të ndodh.

“Ka bisedime me të gjitha partitë politike me të gjithë deputetët, por nuk ka ende ndonjë pajtim të plotë rreth kësaj çështje. Do të shohim, ka kontakte dhe angazhime, dhe kjo do të shihet në ditët në vijim”, ka përfunduar Isufi për Periskopin.

Gjatë ditës së sotme Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar transparencë për bisedimet që po bëhen ndërmjet Qeverisë dhe Listës Serbe, për sigurimin e votave të mjaftueshme për ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend.

Ndërkohë edhe LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar rrëzimin e Qeverisë, por për këtë gjë Avdullah Hoti ka thënë se ende nuk ka ndonjë nismë konkrete.

E deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka pranuar që Lista Serbe po e kushtëzon Qeverinë Haradinaj në këmbim të votës për Demarkacionin./Periskopi/