Ish-sekretari i MPJD-së, zyrtari i parë që intervistohet nga Komisioni Hetimor
Ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Behar Isma, është propozuar që të intervistohet i pari nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së, raporton EO.
Në mbledhjen e këtij komisioni të hënën, u kërkua të procedohet edhe lista me detyra ndaj tre ekspertëve, Gzim Kolgeci, Shpend Shabani dhe Shkelqim Jakupi.
“Detyrat ndaj tyre, Hartimin e një liste bazuar në materialet e komisionit do ftohen për të dëshmuar në Komision”, tha kryetarja e këtij komisioni, Time Kadrijaj.
Ndërsa, deputetja e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, propozoi dëshmitarin e parë, Behar Isma që të jetë dëshmitari i parë.
“Është mirë të ftohën ekspertët, t’i përpilojmë listat përfundimtare të ekspertëve, deputetët me u përfshi në listë, të dakordohemi që Behar Isma të vijë të dëshmojë pastaj të flasim me ekspertet dhe të dakordohemi për kontributin që ata do japin në kuadër të këtij komisioni”, tha Kryeziu.
Deputetja nga LDK-ja, Vlora Dumoshi, propozoi të thirren nga tre dëshmitarë në mënyrë që procesi të ec tutje.“Të ftohen ekspertët në takim propozoj te lista e hartimit ta kemi në ditë nga tre dëshmitarë të jenë prezent në Komision, që puna të jetë sa më e shpejt në hartimin e ekspertëve”, tha Dumoshi.
Deputeti nga pushteti, Haxhi Avdyli, kërkoi që javën e ardhshme të aprovohet lista dhe të bëhet një plan i punës.
“Të thirren sa më shpejt dëshmitarët ne mund të fillojmë, ky takim mund të shterret me dëshminë e Behar Isma. Ta aprovojmë për javën e ardhshme listën e dëshmitarëve dhe ta bëjmë një plan të punës së si dëshmitarët do të thirren javëve në vijim”, tha Avdyli.