Ish-oficeri britanik: Nuk mund të ketë konflikt të drejtpërdrejtë derisa KFOR-i është në Kosovë

KFOR-i e ka fuqinë ushtarake dhe politike për të penguar çdo agresion ndaj Kosovës, thotë ish-oficeri britanik, Ade Clewlow.
Megjithatë, ai përjashton mundësinë për një konflikt të drejtpërdrejtë në vend përderisa trupat e këtij misioni qëndrojnë në Kosovë.
Sa larg anëtarësimit në NATO është Kosova dhe a do të duhej të vendosej FSK-ja në veri, flet në një intervistë për KosovaPress, ish-ushtaraku që ishte dëshmitar i një prej proceseve më të rëndësishme – shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të FSK-së.
Ade Clewlow, i cili shërbeu 25 vjet në ushtrinë britanike, vlerëson se Ballkani Perëndimor nuk është rajon i qëndrueshëm. Për këtë pasiguri, një kontribut të madh sipas tij, e kanë shtetet e Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kosova u bë shtet më 17 shkurt të vitit 2008 dhe u pranua nga më shumë se 100 shtete të botës, por vazhdon të mos njihet nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja – shtete këto që janë pjesë e bllokut.
“Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i qëndrueshëm, dhe kjo në një masë të madhe vjen si pasojë e disa shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke kontribuar në pasiguri. Aleanca e Trumpit me Putinin është e qartë, ashtu siç është edhe marrëdhënia e Putinit me Beogradin. Po ashtu, e kuptojmë qëllimin e Serbisë për të krijuar jo-stabilitet në Ballkan sa herë që mundet. Besoj se nuk ka gjasa për një konflikt të drejtpërdrejtë për sa kohë që KFOR-i mbetet në Kosovë”, thotë ai.
Rolin e KFOR-it në Kosovë, Clewlow sheh si shumë të rëndësishëm, siç thotë ai, për parandalimin e çdo agresioni që shtetit mund t’i vijë nga jashtë.
Ky mision e pati shtuar praninë në Kosovë dy vjet më parë, kur në veri të vendit u rriten tensionet dhe pati sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe infrastrukturës kritike të shtetit.
“KFOR-i është padyshim shumë më i vogël tani sesa kur isha këtu për herë të parë [më 2008], por ai luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të parandaluar çdo agresor të jashtëm që mund të ketë synime për të ndryshuar peizazhin politik të Kosovës. Edhe pse misioni i KFOR-it mbetet i njëjtë – garantimi i lëvizjes së lirë dhe një mjedis të sigurt – prania e tij është thelbësore. Në realitet, KFOR-i ka fuqinë ushtarake dhe politike për të penguar çdo agresion ndaj Kosovës”, thotë ai.
Misioni paqeruajtës i NATO-s është i vendosur në Kosovë që prej vitit 1999, kur përfundoi lufta. Janë 4.600 trupa që ndodhen në Kosovë aktualisht në kuadër të KFOR-it, nga 29 shtete.
Megjithatë, Policia e Kosovës është reaguesi i parë, me EULEX-in, misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit. KFOR-i, është reaguesi i tretë.
Kosova ka edhe Forcën e Sigurisë, e cila është në proces të transformimit në ushtri. Por, në vitin 2013, institucionet e Kosovës ishin zotuar se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
Sipas ish-ushtarakut britanik, vendosja e FSK-së në veri mund të shihej si provokim dhe të nxiste veprime nga serbët që financohen prej Beogradit.
“Nga ajo që di për situatën në terren, vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të ishte, siç thuhet në anglisht, “A red rag to a bull” [një leckë e kuqe për demat]. Pavarësisht se veriu i Kosovës është pjesë e sovranitetit të Kosovës dhe se teorikisht FSK-ja duhet të jetë në gjendje të vendoset atje, realiteti në terren është se njerëzit do ta shihnin këtë si një provokim – gjë që mund të çonte në veprime hakmarrëse nga një grup i vogël serbësh etnikë që marrin urdhra nga Beogradi dhe synojnë të destabilizojnë marrëdhëniet mes serbëve etnikë dhe pjesës tjetër të Kosovës”, thotë Clewlow.
Britaniku thotë se nuk duhet injoruar zhvillimet e reja gjeopolitike, derisa përmend edhe presidentin Donald Trump, i cili mori detyrën në janar të këtij viti.
“Nëse Trump ndjek të njëjtën qasje në Ballkanin Perëndimor si në Ukrainë, atëherë stabiliteti në rajon do të jetë përgjegjësi e Evropës. Shtetet evropiane do të duhet të angazhohen më shumë për të garantuar një mjedis të sigurt këtu”, vlerëson Clewlow.
Në intervistën për KosovaPress, Clewlow flet edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO – proces ky sipas tij i cili pritet të marrë kohë.
“Kosova ka dëshiruar gjithmonë të jetë një kontribuuese e sigurisë dhe jo një konsumuese e saj. Do të doja të thosha se e shoh Kosovën të anëtarësohet në NATO së shpejti, por e ardhmja e NATO-s si organizatë po vihet në pikëpyetje – veçanërisht në lidhje me rolin e SHBA-së. Fatkeqësisht, nuk besoj se Kosova do të anëtarësohet së shpejti në NATO. Megjithatë, sa më shumë që Kosova të afrohet me aleatët e saj evropianë, aq më e madhe është mundësia për një të ardhme të qëndrueshme”, thotë ish-oficeri britanik.
Ade Clowlow, i ngarkuar me misione në shumë vende të botës, u gjend në Kosovë si kolonel-lejtënant në vitin 2008 – pak pas shpalljes së pavarësisë.
Ai ishte i ngarkuar me detyra operacionale për gjashtë muaj dhe pa prej afër procesin e shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, si dhe krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovë që u bë në janar të vitit 2009.
Përvojën e tij në Kosovë e ruajti edhe të shkruar, të cilën më vonë do ta titullonte “Under a Feathered Sky: Role in the Newly Independent Kosovo” (Nën një qiell me pupla: Historia e pa rrëfyer e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarësuar rishtas).
“Kur erdha në Kosovë në vitin 2008, nuk kisha ndonjë plan për të shkruar një libër. Por, në javët e para këtu, duke parë sjelljet e oficerëve të mi të lartë në KFOR, e kuptova se ajo që po shihja ishte e denjë për t’u shkruar në një libër”, thotë ndër të tjera ish-ushtaraku, gjatë intervistës për KosovaPress.
Kur flet për KFOR-in në atë kohë, Ade Clelow thotë se kishte dallime të mëdha për mënyrën se si duhej vepruar në Kosovë.
“Roli ishte shumë i politizuar kur bëhej fjalë për mbështetjen e TMK-së dhe kalimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thotë ai.
“Një gjeneral brigade më tha të ulesha në një qoshe, të merrja shënime dhe të raportoja mbi atë që po ndodhte në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK). Por kjo nuk do të ishte kurrë qasja ime ndaj punës. Nuk ishte ashtu siç një oficer britanik do ta kuptonte atë rol. Isha oficeri i 19-të lidhës me TMK-në dhe ishte e qartë për mua se kisha detyrën të mbështesja dhe të këshilloja komandantët e TMK-së. Megjithatë, pas disa javësh në këtë rol, e kuptova sa politik ishte KFOR-i. Kishte dallime të mëdha në mënyrën se si duhej të veprohej në Kosovë – midis NATO-s në Bruksel dhe KFOR-it në Prishtinë.
Roli ishte shumë i politizuar kur bëhej fjalë për mbështetjen e TMK-së dhe kalimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). U gjenda mes kësaj situate dhe ishte një përvojë jashtëzakonisht frustruese. Kosova kishte vetëm gjashtë muaj që kishte shpallur pavarësinë, ndaj ndjeshmëritë kombëtare dhe pozicionet politike luanin një rol të madh në marrjen e vendimeve të rëndësishme, veçanërisht për mbylljen e TMK-së dhe krijimin e FSK-së”, thotë ish-oficeri britanik.
Clewlow thotë se kishte “vendosur të mos qëndrojë i heshtur”, ani pse në disa raste, kjo mund t’i kushtonte.
“Unë vendosa të mos rrija i heshtur. Përkundrazi, ndihmova dhe udhëzova gjeneralët e TMK-së, duke u përpjekur të sigurohesha që ta mbyllnim TMK-në dhe të ngrinim FSK-në siç duhej. Kishte momente kur e kuptova se mund të futesha në telashe për reputacionin tim. Megjithatë, gjithmonë besoja se zinxhiri britanik i komandës do të më mbështeste. Në Kosovë, kisha një gjeneral me dy yje që më mbante shpinën. Ai e dinte se çfarë po bëja dhe se po e bëja gjënë e duhur. Kjo më dha besim nga perspektiva britanike. Por me kalimin e kohës, u bë e qartë se disa më shihnin si pengesë për planet e tyre”, thotë ish-ushtaraku.
Këto dhe pjesë të tjera nga përvoja në Kosovë, Clewlow ka të shkruara në librin e tij i cili të enjten promovohet edhe në gjuhën shqipe, në Prishtinë.
“Një nga momentet më të veçanta për mua – dhe kam folur për këtë në librin tim – ishte festa për shënimin e mbylljes së Trupave të Mbrojtjes të Kosovës. U mbajt një paradë afër selisë së TMK-së, e cila tani përdoret nga një agjenci tjetër. Ngjarja kishte atmosferën e ditës së fundit të shkollës. FSK-ja ishte afër, gati për t’u krijuar. Të gjithë shkuam për të festuar mbylljen e kësaj organizate pas nëntë vjetësh, në verërinë StoneCastle dhe patëm një drekë atje…Realisht, ajo festë kapte ndjenjat e të gjithëve për të kaluarën, por gjithashtu kishte një element shumë të fortë shprese për të ardhmen”, thotë ai.
Libri në shqip e ktheu britanikun edhe një herë në Kosovë duke i dhënë mundësinë të takohet me miq si dhe të shoh vendet të cilat dikur për të ishin shumë të njohura.
“Pamja e Prishtinës ka ndryshuar. Sa herë që kthehem – gjë që nuk ndodh shpesh – shoh ndërtesa të reja kudo. Duke vozitur nga aeroporti sot, pata vështirësi të njoh vendet që dikur më ishin të afërta. Vetëm në qendër të qytetit, ku gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë, ndjeva me të vërtetë se isha përsëri në Prishtinë”, thotë Clewlow. /KP/