Ish-missi rrëfen jetën e vajzave shqiptare në Dubai

Ish-missi rrëfen jetën e vajzave shqiptare në Dubai

Karrieriste në profesion dhe tërheqëse në pamje, duke tërhequr vëmendjen e ndjekësve me një set fotosh hot nga resortet luksoze të Dubait. Me një kurorë Miss-i dhe diplomë në Bankë e Financë në Londër, Nikita Preka punon në një kompani konstruksioni dhe investimesh në vendin e përfolur.

E ftuar në evente ndërkombëtare si modele dhe falë eksperiencës si reportere e garave të makinave sportive për një kompani në SHBA, ajo ka pasur rastin të takohet atje me shumë sheikë me emër.

Po si është jeta e saj dhe vajzave shqiptare që jetojnë në Dubai, Nikita i rrëfen në këtë intervistë.

Një miss e modele që ushtron profesionin e ekonomistes, ndërkohë që këtë verë ke bërë përshtypje me pozat hot me bikini nga Dubai. Si arrin të kalosh me kaq lehtësi në dy standarde: nga loja me trupin për poza, në lojën me mendjen për shifra?

Unë e gjej veten te të dyja dhe më japin kënaqësi të dyja profesionet. Të jesh i suksesshëm në jetë dhe të ulësh riskun duhet të diversifikohesh, domethënë të investosh kohë dhe të ardhurat në disa industri, jo vetëm në një. Gjatë eksperiencës sime në modeling kam takuar avokatë, bankierë, pedagogë që bënin modeling si pasion.

Çfarë të joshi të vije në Shqipëri pas karantinës për disa foto me fustane madhështore ku pozoje si diva?

Në Shqipëri isha për të takuar prindërit. Pastaj m’u dha mundësia të punoj me një nga make up artistet dhe designer më të talentuara në Shqipëri, Merita Merja. Po ashtu, isha e ftuar në disa emisione televizive, por arrita të bëj vetëm një regjistrim për një nga emisionet më të ndjekura për momentin në Shqipëri.

Të kthehesh të jetosh në Shqipëri është synimi yt?

Unë mund të jetoj kudo ku shoh një të ardhme në karrierën time dhe po ashtu, kam njerëzit e duhur rreth vetes. Shqipëria është vendi im dhe pse jo, mbase një ditë kthehem dhe jetoj aty. Never say never.

Një bjonde si ty është e mirëpritur dhe e lakmuar në Dubai?

Unë ndihem e mirëpritur në çdo vend që shkoj, ngaqë preferoj të lë këtë raport me njerëzit. Respekti besoj se fitohet, nuk blihet. Gjithmonë kam marrë respektin e merituar nga njerëzit që më rrethojnë. Koha ime vlen dhe nuk shpenzoj kohë me njerëzit që nuk m’i kuptojnë standardet e mia.

Nga Shqipëria në Londër për studime dhe tani në Dubai për punë. Të duket vetja aventuriere apo karrieriste më shumë?

Absolutisht jo aventurere, por ambicioze, pasi për çdo gjë që bëj kam një strategji. Në Dubai m’u ofruan mundësi më të mira dhe më përshatet stili i jetesës. Po ashtu, më pëlqen të jetoj në shtete të ndryshme. Plani im është që në të ardhmen të jetoj në tri shtete të ndryshme: Dubai në dimër dhe vjeshtë, në pranverë dhe verë në Londër dhe Monaco.

Shumë flitet për vajza shqiptare që bëjnë eskortën në Dubai. Ti je njohur me këtë realitet atje, apo je përballur me paragjykime të kësaj natyre?

Jo, nuk kam ndonjë informacion. Në përgjithësi, në Dubai vajzat shqiptare kanë reputacion të mirë.

Je klasike siç shfaqesh në fotot artistike, apo moderne sa të kalosh çdo vështirësi pa ndihmën e askujt?

Arrij t’i bëj të dyja, ndryshoj rolet nga situata si në jetë personale dhe në karrierë. Besoj se jam shumë e sjellshme dhe e thjeshtë me njerëzit, pa qëllime të fshehura ndaj meje, po ashtu nuk kam mëshirë për njerëzit e këqinj. Në karrierë kam konkurrencë agresive, dua që gjithmone t’ia dal.

Ka ndodhur të jesh gjendur në vështirësi apo ke rënë pre e ngacmimeve si vajzë e bukur që je?

Po, të qenurit e bukur vjen dhe me disavantazhe. Gjithmonë një femër e bukur paragjykohet, xhelozohet dhe kritikohet më shumë, sidomos nga i njëjti seks, në çdo kulturë. Kam pasur situata jo të mira, por tani jam mësuar si t’i manaxhoj.

Ç’është paraja për ty dhe në ç’fushë e sheh veten në biznes?

Paraja të jep lirinë të kesh çfarë do materialisht, por nuk të përmbush emocionalisht. Lumturia ime kur blej diçka, sado vlerë që ka, zgjat vetëm 5 minuta. Paranë e shoh të nevojshme në jetë, por jo parësore.

Ke ambicie kinemanë dhe deri ku do shkoje me pranimin e një roli?

Në kinema kam pasur një ofertë për Bollywood, por nuk e kam pranuar, duke qenë se kisha plane të tjera. Po ashtu, më kanë ftuar në Los Angeles për një rol, por akoma po e mendoj. Fokusi im është biznesi, por gjithashtu do mundohem të ndjek pasionin tim për modeling, kur të gjej hapësirë nga puna.

Shpërndaje në: