Ish-ministri i Financave: Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u manipulua, këto janë faktet

Ish-ministri i Financave: Regjistrimi i popullsisë në Kosovë u manipulua, këto janë faktet

Agjencia e Statistikave të Kosovës javën që lamë pas ka bërë të ditura të dhënat paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).

Sipas të dhënave të publikuara në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë ku prej tyre 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra.

Kjo tregon rënie të numrit të banorëve, krahasuar me regjistrimin e fundit, i cili ishte kryer në vitin 2011. Nga ai regjistrim figuroi se në Kosovë, numri i banorëve ishte 1.739.825 banorë, që i bije 153.166 mijë banorë më pak në vitin 2024.

Disa komuna doli të kenë rënie të madhe të popullsisë, ndërsa tri komunat më popullsi më të madhe janë: Prishtina me 227,154, Prizreni me 147,428 dhe Ferizaj me 109,345 mijë banorë.

Komuna e Fushë Kosovës, është komuna që ka shënuar rritje të lartë të banorëve, me një ngritje prej vitit 2011 prej 83.99%. Pas Fushë Kosovës, komunat me rritjen më të mëdha janë Parteshi, Shtërpca, Graqanica, Kllokoti si dhe Prishtina.

Por si ndikon kjo rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës në ekonominë e vendit, njohësit e kësaj fushe thonë se do të ketë telashe kryesore në ekonominë dhe fuqinë punëtore.

Disa prej tyre hedhin dyshime për manipulim të shifrave zyrtare të publikuara nga ASK për numrin e të të punësuarve, derisa ata thonë se Qeveria nuk merret fare me këtë çështje dhe të bëjë planifikim të ndaloj trendin e ikjes së të rinjëve.

Ish-ministri i financave, Haki Shatri thotë se publikim i ASK-së për numrin e banorëve në Kosovë tregon se diku rreth 400 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën.

Sipasj tij, ky zvogëlim evidenton moshat e reja, duke sjellë mungesën e fuqisë punëtore.

“Publikimi i shifrave tregon se e kanë lëshuar Kosovën diku 400 mijë banorë, duke marrë parasysh prej regjistrimit të fundit. Dmth ka një rënie të numrit që tërheqë ne vete edhe probleme tjera, mosha mesatare ka dalë pesë vite më e vjetër sesa në regjistrimin e parë. Ky zvogëlim shkon tek numri i njerëzve në moshë pune dhe kjo sjellë mungesë të fuqisë punëtore në shumë lëmi. Në shumë biznese po kanë vështirësi ne gjetjen e fuqisë punëtore”, theksoi ai.

Shatri ngre dyshime për manipulim të shifrave zyrtare. Sipas tij, personat që janë evidentuar si ‘amvise’ , kryejnë punët e shtëpisë së tyre por nuk paguhen, nga ASK-ja evidentohen si të punësuar.

Shatri thotë se numri i personave të punësuar është fryer për 40 mijë, pasi sipas tij nuk është numri i tyre 400 mijë, por afro 370 mijë.

“Në publikimet zyrtare të statistikave, këta kanë evidentuar si të punësuar  420 mijë persona, po kur e sheh strukturën e tyre janë nja 16 mijë të punësuar punë dytësore, pra kanë një punë primare dhe punë dytësore e kanë futur si një të punësuar tjetër. Pastaj i kanë 20 mijë persona të evidentuar si persona të vetëpunësuar, kur e sheh shpjegimin aty shkruan që janë amvise, punojnë në shtëpi të vet që nuk marrin pagë. Nuk e di çfarë punësimi është ajo por është kategorizuar si i tillë. Mendoj që nja 40 mijë ende pune i kanë fryer se realisht janë 370 mijë  persona të puënsuar”, tha ai.

Shatri thotë se është zvogëluar numri i personave që kërkojnë punë, pasi ata janë punësuar veçse jo në Kosovë, por në Gjermani e vendet tjera.

“Këtyre po ju pëlqen me i mashtru opinionin , po i  manipulojnë edhe shifrat zyrtare. Numri i personave që kërkojnë punë është zvogëluar sepse ata janë punësuar por jo këtu por në Gjermani apo vendet tjera jashtë. E vërteta është kjo”, deklaroi ai.

Në fund, Shatri thotë se në komunat ku ka zvogëlim të banorëve automatikisht do të ketë zvogëlim të buxhetit.

“Në Komuna më pasive shpërnguljet janë më të mëdha dhe numri/ zvogëlimi i popullsisë të jep më vete edhe zvogëlim të donacionit prej buxhetit qendror. Pra ju ndahet buxhet më i vogël, buxhet i cili shkon për pagesën e mësimdhënësve, mjekëve dhe administratës. Kjo është e  rregulluar me ligj, me numër të banorëve. Ata që kanë zvogëlim të numrit të banorëve, automatikisht buxheti në 2025 ka me i zvogëlu fondet për këto tri kategori të puëtorëve të sektorit publik”, tha Shatri për Front Online.

Shpërndaje në: