Ish- mesfushori i Veronës tani si trajner i Serbisë
Ish-mesfushori i Veronës, Dragan Stojkoviç është trajneri i ri i ekipit kombëtar të Serbisë, përcjell Periskopi.
Një emërim, që vjen tri javë, para debutimit të Serbisë në ndeshjet kualifikueset për kupën e botës “Katar 2022”.
55-vjeçari Stojkoviç zëvendëson në pankinë, trajnerin Ljubisha Tumbakoviç, i shkarkuar në dhjetor, pasi Serbia nuk arriti të kualifikohej në finalet e kampionatit europian.
Përvoja e tij si trajner është në Japoni dhe Kinë, ku pesë vitet e fundit, ai drejtoi skuadrën e Guangzhout. Si futbollist Stojkoviç ka bërë 84 ndeshje dhe shënuar 15 gola për ekipin kombëtar të Jugosllavisë nga 1983 në 2001.
Ndryshe, Serbia bën pjesë në grupin A, së bashku me Portugalinë, Irlandën, Azerbaixhanin dhe Luksemburgun. Ndeshjen e pare eliminatore, Serbia do të zhvillojë më 24 mars ndaj Irlandës.