Ish-kryetari i Malishevës dhe ish-ministri i Tregtisë dënohen me nga 2 vjet e gjysmë burgim

Ish-kryetari i Malishevës dhe ish-ministri i Tregtisë dënohen me nga 2 vjet e gjysmë burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së MalishevësRagip Begaj,  ish-ministrit Bajram Hasani, Bashkim dhe Malë Krasniqi, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime rreth “Zonës ekonomike” të Malishevës, kurse ka liruar nga akuza Hajdin Berishën, Faton Thaqin, Ahmet Rrahmanajn dhe Nazimi Kafexhollin.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Sipas këtij aktgjykimi, Begaj dhe Hasani janë dënuar secili me nga 2 vite e 6 muaj burgim, kurse Bashkim dhe Malë Krasniqi me nga 2 vite burgim.

Ndërkaq, Berisha, Thaçi, Rahmanaj dhe Kafexholli u liruan nga akuza pasi që gjykata nuk ka arritur të provojë se të njëjtit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Të dënuarit në këtë rast, secili veç e veç u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 350 euro paushallin gjyqësor dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Ndërsa, të tjerët, lirohen edhe nga këto shpenzime.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë. Aktakuzën e plotë për këtë rast mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: