Ish-komandanti i NATO-s: S’është çudi që ka tensione në Kosovë, Hill njeriu i duhur për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit

Ish-komandanti i NATO-s: S’është çudi që ka tensione në Kosovë, Hill njeriu i duhur për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit

“Si ta mbajmë Putinin dhe Xi-në jashtë Ballkanit”. Ky është titulli i një komunme në Bloomberg me autor James Stavridis, ish-komandant suprem i NATO-s për Europë.

Në fillim, Stavridis shpjegon historinë e armiqësisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ballkani është i ndërlikuar. Dhe tendenca është gjithmonë që të injorohen ato kombe – derisa të shpërthejnë, siç kanë bërë me besueshmëri gjatë dekadave të fundit”, shkruan Stavridis.

Ai tregon se si NATO kishte 15,000 trupa që ndihmonin ta mbanin një paqe midis Kosovës dhe Serbisë kur ai ishte komandanti suprem.

“Në fillim të viteve 2010, kur unë isha komandanti suprem i NATO-s, ne kishim 15,000 trupa nga 20 vende që ndihmonin për ta mbajtur një paqe të pakëndshme midis Serbisë dhe Kosovës – kjo e fundit një rajon i shkëputur nga i pari që SHBA e njeh si shtet sovran. Armiqësia buronte nga konflikti shekullor midis të krishterëve serbë dhe kosovarëve myslimanë – që daton që nga rënia e Perandorisë Bizantine dhe ngritja e Turqisë Osmane. Ndjeja urrejtjen e rrënjosur thellë sa herë që e vizitoja rajonin, gjë që e bëra dhjetëra herë. “Shumë histori”, më tha një udhëheqës kosovar”, shkruan Stavridis.

Ish-komandanti i NATO-s thotë se “nuk është për t’u çuditur” që “Gadishulli Ballkanik mbetet plot tensione, veçanërisht në kufirin Serbi-Kosovë dhe në Bosnjë”.

“Një mision shumë më i vogël i NATO-s atje ndihmon në mbajtjen e kapakut (për fat të keq, gati 100 prej atyre paqeruajtësve u plagosën në trazira nga serbët etnikë në Kosovë vitin e kaluar)”, shkruan Stavridis.

Ai thekson se sot “nuk është vetëm Rusia por gjithnjë e më shumë Kina, e cila e sheh Serbinë si një pikë të përshtatshme strategjike hyrjeje në Europën Juglindore”. Për këtë, Stavridis thotë se “bota demokratike duhet të jetë jashtëzakonisht e shqetësuar”.

“Serbia është vendi më konfliktual në rajon. Nga njëra anë, serbët kanë afinitete të rëndësishme kulturore dhe historike me Rusinë e Vladimir Putinit. Ata ndajnë një lidhje të fuqishme fetare përmes kishave ortodokse ruse dhe serbe dhe janë partnerë të rëndësishëm tregtarë. Dhe në maj, Presidenti Xi Jinping i Kinës bëri një udhëtim të profilit të lartë për ta nënshkruar një marrëveshje tregtare me Beogradin”, tregon ai.

Ish-komandanti i NATO-s përmend edhe vizitën e presidentit francez, Emmanuel Macron në Beograd muajin e kaluar dhe miratimin e shitjes së avionëve “Rafale”.

“Serbët kanë parë gjithashtu disa vende të Ballkanit që kanë arritur anëtarësimin në NATO (Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi) dhe BE (Kroacia dhe Sllovenia). Kjo i jep shtysë idesë që Serbia, në thelb trashëgimtare e Jugosllavisë së vjetër, të vijë drejt Perëndimit”, shkruan ai.

Stavridis thotë se “çelësi mund të jetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

“E takova Vuçiqin (që do të thotë “ujk” në serbisht) gjatë kohës sime në NATO dhe mbeta i impresionuar”, shkruan ai, duke treguar se ai flet shkëlqyeshëm anglisht.

“Pasi e tejkaluam përplasjen e detyrueshme të NATO-s (aleanca lëshoi ​​një numër raketash Tomahawk në Beograd gjatë luftërave ballkanike), Vuçiq më cilësoi si të zgjuar, strategjik dhe një komunikues efektiv”, kujtoi Stavridis.

Sipas tij, Washingtoni po vepron mirë në raport me Serbinë. Këtu ai përmend “dërgimin e një prej ambasadorëve të saj më me përvojë në karrierë, Chris Hill, në Beograd”.

Hilli, sipas Stavridis, është i duhuri “për ta tërhequr butësisht Serbinë drejt Perëndimit”.

Si thotë se ambasadori i SHBA-së në Serbi i tha së fundmi se “Serbia definitivisht po ndihmon” për çështjen e Ukrainës.

“Angazhimi më i madh i NATO-s në të gjithë Ballkanin do të ishte një mënyrë e zgjuar për t’u ballafaquar me serbët. Kjo duhet të përfshijë stërvitje të fuqishme të udhëhequra nga anëtarët ballkanikë të NATO-s si Greqia dhe Bullgaria; më shumë shitje të teknologjisë ushtarake perëndimore në të gjithë rajonin, duke përfshirë artileri më të mirë; dërgimi i oficerëve amerikanë në kolegjet serbe të luftës dhe oficerëve të tyre të lartë në kolegjet tona; dhe afrimi i serbëve për pjesëmarrje në misionet e NATO-s jashtë Ballkanit, veçanërisht duke përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe forcat speciale në luftën kundër narkotikëve”, shkruan Stavridis.

Ai e sheh Beogradin si “pragmatist” nën udhëheqjen e Vuçiqit. Ish-komandanti i NATO-s shprehet se me kalimin e kohës anëtarësimi i Serbisë në NATO është i mundur, “dhe i mençur”.

“Kjo do ta qetësonte më tej një gadishull të trazuar dhe do të ndihmonte në bllokimin e një pjese të rëndësishme të planeve të Putinit në një cep strategjik të Europës”, përfundon shkrimin Stavridis.

Shpërndaje në: