Ish-komandanti i FSK-së: Ushtarët duhet të përgatiten për luftë, jo për të gatuar ushqim
Gjeneral Kadri Kastrati, ish-komandant i Forca e Sigurisë së Kosovës ka folur në lidhje me problemin me furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Upadate”, ai e ka konsideruar një sjellje të turpshme nga kryeministri Albin Kurti, për të cilën është ndjerë jashtëzakonisht i turpëruar.
Sipas Kastratit, ushtarët duhet të përgatiten për luftë, jo për të gatuar ushqim.
“Të them të drejtën e kam ndjerë veten jashtëzakonisht keq, sepse jam një ndër njerëzit që Forcat e Armatosura të Kosovës i ka përcjellë që nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kam qenë në strukturat komanduese të kësaj ushtrie. Këto ditët e kaluara, duke marrë lajmin që ushtria ka probleme me furnizimin me ushqim, unë si ish komandant jam ndjerë jashtëzakonisht i turpëruar, jam ndjerë shumë keq. Sepse ne ushtarët gjatë luftës kur nuk kemi pasur institucione qendrore apo lokale, kur nuk kemi pasur përkrahje, ushtarët i kemi furnizuar me ushqim. Lërë tani kur e kemi shtetin, e kemi qeverinë. Ushtarët apo oficerët e Kosovës të vuajnë për ushqim, kjo është një marri, një turp i madh për shtetin e Kosovës, për institucionet e Kosovës.
Unë e kam përcjellë në vazhdimësi dhe kjo tani mundohet që ta citojnë dhe ministri dhe komandanti dhe sekretari i mbrojtjes, i kësaj ministrie dhe unë të them të drejtën fajin e lë te të gjithë, sepse të gjithë janë bashkëpërgjegjës që ka ardhur deri te kjo situatë, të gjithëve iu mungon një eksperiencë planifikuese, që u është dashur bërë më herët.
Ushtarët nuk duhet të përgatiten për kuzhina, ushtarët duhet të përgatiten për misione shumë më të avancuara dhe për luftë”, u shpreh ai.