Ish-kampionë të boksit – Vëllezërit Klitschko gati për sulmin e Putinit, bëjnë thirrje për mbrojtje të vendit
Vëllezërit Klitschko, Vitali dhe Wladimir janë të gatshëm ta mbrojnë vendin e tyre në të gjitha mënyrat.
Ish-kampionët e botës në boks thonë se janë në dispozicion të atdheut të tyre, Ukraina, për t’ju kundërvënë agresionit rus, i cili pritet që shumë shpejt ta nis tentimin për ta pushtuar vendin fqinj.
Të dy ish-sportistët e njohur e kanë lënë jetën luksoze dhe të gjitha të mirat që ua ka sjell sporti dhe janë rikthyer në Ukrainë, në mbrojtje të vendit.
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Wladimir Klitschko i është bashkuar ushtrisë ukrainase derisa vendi po përgatitet për një sulm nga fuqia botërore – Rusia.
Klitschko është vendosur në territorin ukrainas të forcave mbrojtëse në Kiev.
“Ne të gjithë lutemi që të mos ketë konflikt”, ka thënë së fundmi ai.
Mirëpo, ai është i përgatitur edhe për skenarin më të keq, shkruan “Gazeta Express”.
“Nëse agresori vjen në vendin tonë, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mbrojmë qytetin tonë, vendin tonë, të ardhmen tonë si vend demokratik evropian”, ka shtuar Wladimir.
Rusia raportohet se i ka vendosur mbi 130 mijë trupa në kufi me Ukrainën, të gatshëm të veprojnë sapo ta marrin urdhrin “nga lart”.
Madje, trupat gjenden vetëm 100 kilometra nga kryeqyteti, Kiev.
Klitschko, i cili aktualisht jeton në kryeqytetin ukrainas me të bijën e tij, shpreson që regjistrimi i tij do t’i motivojë të tjerët në qytet të qëndrojnë të fuqishëm për t’u përballur me sulmin.
“Çdo prind shkon për ta mbrojtur fëmijën e tij. Ne i kemi dy zgjidhje: ose të vrapojmë dhe të ikim, ose të përballemi me sfidën. Kështu që, zgjidhja ime ishte që ta merrja këtë sfidë”, vazhdoi Klitschko.
Forcat Territoriale të Mbrojtjes në Ukrainë u themeluan në vitin 2014 kur Rusia e aneksoi Krimenë, për t’i ushtruar me orar të shkurtuar rezervistët.
E vitin e kaluar, kur u rrit frika për afrimin e trupave ruse, kjo forcë është e hapur edhe për civilët, për këdo që është i interesuar për t’iu bashkuar asaj.
E vëllai i Wladimir Klitschkos, Vitali, është major në Kiev.
Ai shpreson që të bëhet një zgjidhje e paqes pasi thotë se një luftë eventuale do të ishte një dizastër.
“Ne shpresojmë që diplomatët tanë ta gjejnë mënyrën që ta ndalin këtë agresion. Rusia do ta paguajë shtrenjtë nëse e sulmon Ukrainën. Ky do të ishte një dizastër jo vetëm për Ukrainën, por për krejt stabilitetin evropian”, deklaroi ish-kampioni i botës në boks.
Ai ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga NATO.
“Faleminderit nga të gjithë ata që e mbështesin integritetin tonë territorial dhe pavarësinë e vendit tonë. Ne kemi nevojë për mbështetje nga miqtë tanë në këtë situatë kritike për Ukrainën”, vazhdoi Vitali.
Sipas tij, kërcënimi i Rusisë është pjesë e planit të saj për ta rindërtuar Bashkimin Sovjetik.
“Ne nuk duam të kthehemi prapa në ish-Bashkimin Sovjetik. Ne e shohim të ardhmen tonë si vend i ri modern dhe demokratik evropian”, nënvizoi tutje Klitschko.
Ai në fund paralajmëroi se ukrainasit nuk do të rrinë duarkryq nëse sulmohen eventualisht.
“Ne nuk jemi agresivë për askënd, ne jemi një komb miqësor. Mirëpo, nëse agresori vjen në vendin tonë, ne duhet të mbrohemi”, përfundoi majori Klitschko.
SHBA-të dhe Britania e Madhe janë duke e ndihmuar vazhdimisht Ukrainën dhe e kanë kërcënuar Rusinë me pasoja të rënda nëse e bën një sulm eventual ushtarak.
Por, asnjëri vend nuk ka paralajmëruar se do të dërgojë ushtarë në Ukrainë për t’i luftuar rusët.
Në ditët e fundit, situata në Ukrainë është kritike dhe nga çasti në çast mund të shpërthejë lufta e paralajmëruar.