Ish-hetuesi i Policisë: Prokuroria të përfshijë edhe shokët e Radojçiqit në hetime për Banjskën
Murat Mehmeti, ish-hetues policor për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ka theksuar se ka pasur një përfshirje direkte të Serbisë në këtë akt terrorist.
“Inteligjenca e Serbisë është direkt e involvuar në këtë rast,” ka deklaruar Mehmeti.
“Radoiçiqi, kur është marrë në pyetje, ka pranuar veprën dhe ka deklaruar se nuk ka vepruar për vete, por për Serbinë. Ai ka thënë se çfarë ka bërë është njohur nga oficeri serb në Kralevë”, ka shtuar ai.
Mehmeti ka kritikuar Prokurorinë Speciale për moszgjatjen e hetimeve.
Ai ka theksuar se në aktakuzë përmendet një biznes me inicialet e pronarit Rr.S., dhe ka sugjeruar që hetimet duhet të ishin zgjeruar për të përfshirë shokët e Milan Radojçiqit në Kosovë.
“Firma Peperad, pronë e Zvonko Veselinoviqit, ka marrë tendera të mëdha nga buxheti i Kosovës dhe nga çdo institucion që ka investuar në veri,” ka theksuar Mehmeti.
Ai gjithashtu ka komentuar mbi rolin e një individi kyç në këtë grup, të cilin e identifikoi si vozitësin e ambulancës i vrarë gjatë konfliktit.
“Ky person kishte mbajtur paratë e zeza dhe kishte qenë i përfshirë në bartjen e parave dhe armëve,” ka përfunduar Mehmeti.