Ish-drejtori i RTK’së: Dorëheqja ime nuk ishte vullnet personal por presion politik
Ish-drejtori i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se dorëheqja e tij nga kjo pozitë nuk kishte të bënte me vullnet personal por ishte pasojë e një presioni politik.
Gjatë intervistës në Rubikon, Ahmetxhekaj tha se ky presion politik nënkuptonte “ose shkarkim ose dorëheqje”.
Ai madje ka treguar se ditën kur është thirrur nga bordi për të diskutuar ‘çështje emergjente’, është njoftuar vetëm 2 orë para takimit, në kundërshtim me rregulloren.
“Dorëheqja ime nuk ka qenë një vullnet personal. Ka qenë një lloj presioni që nënkupton; ose do të shkarkohesha ose do të jepja dorëheqje. Me datë 23 maj ka ndodhur një takim i jashtëzakonshëm nga ana e bordit. Zakonisht takimet me bordin paralajmërohen 2 ose 3 ditë më herët por atë ditë jam ftuar në mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar ‘çështje emergjente’ 2 ore para se mbledhej bordi. Kjo është në kundërshtim me rregulloren sepse nuk mund të ftohet drejtori 2 orë më herët në një takim, në një mbledhje për të diskutuar disa vërejtje që janë dhënë në raportin vjetor të punës së drejtorit të Përgjithshëm. Pra, takimi si i tillë nuk ka pasë as bazë ligjore. Gjatë tërë kohës kam qenë në dispozicion të bordit në të gjitha takimet që i ka ftu. Ditën, natën, në fundjavë. Asnjhëherë nuk ka munguar. Me datën 19 janar kur jam emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm, unë dhe shumë të tjerë në RTK e kemi pa si mundësi të mirë që më në fund do të mund të avancoj transmetuesi publik. Pra do të mund ta reformojmë atë, do të mund t’ia kthejm publikut atë për të cilën ne protesuam në vitin 2015. Arsyeja pse une pranova për këtë pozitë ishte shpresa që së bashku me ekipin tim do të mund ta kthenim RTK-në aty ku e meriton”, tha ai.