Ish drejtori i KEK-ut padit Armend Mujën për shpifje

Ish drejtori i KEK-ut padit Armend Mujën për shpifje

Ish drejtori i Korporatës Elektroenergjike të Kosovës, Njazi Thaqi ka njoftuar se ka paditur deputetin e VV-së, Armend Mujën për shpifje.

Ai në Facebook ka thënë se është padia e dytë që ka dorëzuar në Gjykatën Themelore.

Thaqi tha se nuk do të lejojë që punë në KEK të njollosen me përfitime politike.

 

Njoftimi i plotë:

Padi për Armend Mujën

Kjo është padia e dytë që kam dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shpifje. Armend Muja do të përballet me drejtësinë për shpifjet që ka bërë ndaj meje në konferencën e 7 dhjetorit. Do të ndjek të njëjtën rrugë ligjore kundër çdokujt tjetër që përmend emrin tim dhe shpif, vetëm për të mbuluar dështimet personale ose për përfitime politike.

Unë nuk jam në garë politike dhe as nuk bëj politikë, por nuk do të lejoj që puna dhe sukseset e KEK-ut të njollosen me gënjeshtra të turpshme dhe krahasime të trilluara.

Jo Armend Muja e partia e tij, por asnjë fuqi në këtë tokë nuk mundet të mohojë rezultatet e KEK-ut, që janë arritur me përkushtim maksimal dhe me mundin e mijëra punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. KEK-u ka qenë shembull në menaxhim, punë dhe përkushtim. Nga një ndërmarrje e shkatërruar dhe demoluar, kemi arritur ta kthejmë në ndërmarrjen publike më të suksesshme në shtet. Miliona euro i janë dhënë buxhetit të shtetit, dhe mbi të gjitha, kemi operuar duke e mbajtur çmimin më të lirë të energjisë në rajon dhe Evropë për qytetarët tanë.

Armend Muja e di shumë mirë që energjia që po importohet sot është e njëjta, me të vetmin përjashtim që në vitin 2016 është ndërtuar linja 400 KV Shqipëri – Kosovë, e cila ka mundësuar transmetimin e sasive më të mëdha të energjisë. Si mundet dikush të gënjejë kaq paturpësisht dhe të thotë se energjia po vjen nga Danimarka dhe Sllovenia, kur:

  • Danimarka është ndër vendet me çmimin më të shtrenjtë të energjisë në botë (0.34 dollar për KËh).
  • Sllovenia ka çmim prej 0.22 dollar për KËh.

Realiteti është ky: Në të kaluarën energjia blihej me 40 deri 60 euro për MË, ndërsa sot kushton 400 euro për MË. Qytetarët atëherë paguanin 100% më lirë për energjinë sesa paguajnë sot.

Për sqarim:

  • Kompania aktuale që importon energjinë quhet “Danske Commodities” me bazë në Danimarkë, ndërsa Geni ka bazën në Slloveni. Por transportimi i energjisë mbetet i njëjtë.
  • Edhe në të kaluarën kompanitë që përmend Muja kishin bazë në Zvicër dhe Angli, por energjia ka ardhur nga Serbia, sepse nuk ka pasur mundësi tjetër.

Në lidhje me pozitat e mia në KEK:

Unë kam qenë shef i prokurimit deri në tetor të vitit 2011 dhe nuk kam nënshkruar asnjë kontratë për import pas asaj date. Nga 9 maji 2013, KEK është privatizuar dhe importi ka kaluar te KEDS, operatori privat, i cili ka menaxhuar importin dhe eksportin deri në vitin 2019.

Për secilën gënjeshtër të Armend Mujës do të flasim kur të vijë koha në gjykatë. Unë dua të qëndroj larg betejave politike, por një ditë, kur të vijë koha, do të flas hapur për hajnitë dhe shkatërrimin që i është bërë Korporatës gjatë këtyre viteve. Është e dhimbshme të shohësh sesi është plaçkitur dhe keqmenaxhuar një ndërmarrje publike që dikur ka qenë shembulli më i mirë në nivel vendi.

 

Shpërndaje në: