Ish-drejtori i Burgjeve: Ishte për t’u habitur se si Faton Hajrizi me mbi shtatë vite burg u transferua nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Smrekronicë
Faton Hajrizi është arratisur me 6 korrik nga burgu i Smrekonicës në Kosovë.
E për arratisjen e tij, ish-ushtruesi i detyrës i drejtorit të Përgjithshëm të ShKK-së, Shemsi Hajrizi deklaroi se është “habitur” nga mënyra e transferimit nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Qendrën Korrektuese Smrekronicë.
“Janë për brengosje rastet e ikjes dhe arratisjeve. Më ka habitur rasti i Faton Hajrizit. Qysh e kanë transferu nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Qendrën Korrektuese në Smrekronicë. I kemi propozuar ministrit atëkohë, Hajredin Kuçit me nxjerrë një vendim me kufizu personat që do të transferojmë në Qendrën Korrektuese në Smrekronicë. Edhe atë në 2 vite të dënuarit me veprat penale “lehta dhe të shkurtra” ose me dënimi i mbetur të ishte dy vite”, shtoi Hajrizi në RTV Dukagjini.
Hajrizi shtoi se dënimi i mbetur i Faton Hajrizit edhe shtatë vite e gjysmë dhe të transferohet në Smrekronicë është për të habitur.
Hajrizi ka treguar edhe dallimin mes të larguarit dhe të arratisurit, teksa ka shtuar se arratisja është vepër penale e dënueshme deri në tri vite burgim.