Ish-asamblistit të VV-së, Egzon Azemit i parashkruhet vepra penale për protestën e 2015-ës
Ish-asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Egzon Azemit i është parashkruar vepra penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, të cilën akuzohej se e ka kryer gjatë protestës së 2015-ës.
Kjo është bërë e ditur në seancën e së martës, në rastin ku përveç Azemit për huliganizëm po akuzohen Veron Hasani dhe Valmir Osmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari i rastit, Adnan Kamberi njoftoi se të akuzuarin Azemi i cili ishte prezent në shqyrtimin e sotëm, se vepra penale për të cilën akuzohet ka arritur parashkrimin absolut.
“Duke pasur parasysh kohën e kryerjes se veprës penale 12 tetor 2015, si dhe denueshmerisë se veprës penale, gjykata konstaton se ka arritur afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale, për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë për të pandehurin, Egzon Azemi”, tha gjyqtari Kamberi.
Në seancën e sotme kanë munguar të akuzuarit Hasani dhe Osmani, për çka ka dështoi të mbahet seanca e sotme për të njëjtit.
Për dy të akuzuarit e lartcekur gjyqtari Kamberi njoftoj se ndaj të njëjtëve gjykata ka lëshuar urdhër-arrest.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty deri në njoftimin e radhës nga kjo gjykatë.
Ndryshe, ndaj të akuzuarit Azemi është duke u zhvilluar edhe një proces gjyqësor, po ashtu për huliganizëm, sulm ndaj zyrtarëve policorë në protestat e vitit 2015.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 korrik 2016, të pandehurit Veron Hasani dhe Valmir Osmanaj, akuzohen se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur mjete të forta në drejtim të policisë dhe objektit të stacionit policor Qendra, duke thyer kështu xhama dhe dëmtuar muret e këtij objekti, duke shkaktuar dëme e pasoja të rënda.
Për këto veprime, të akuzuarit Hasani dhe Osmanaj po ngarkohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në pikën dy të kësaj aktakuze, ish-asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, akuzohet se më 12 tetor 2015, gjatë protestës së Vetëvendosjes, me dashje dhe me veprime të dhunshme, huligane, ka hedhur mjete të forta- gurë, kuba të betonit, në drejtim të veturave zyrtare, duke dëmtuar veturën zyrtare e parkuar para objektit të Këshillit Prokurorial.
Për këto veprime, Azemi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.