Ish-ambasadori: Hapja e urës së Ibrit, veprim puro-elektoral nga Kurti
Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, ka hedhur poshtë pretendimet se aktorët ndërkombëtarë kundërshtojnë rihapjen e urës së Ibrit, duke i cilësuar pohime të tilla si thjesht propagandë e kryeministrit Albin Kurti.
Cana tha në “Info Magazine” të Klan Kosovës se partnerët ndërkombëtarë nuk e kundërshtojnë rihapjen e urës, por theksojnë nevojën për një koordinim të kujdesshëm, veçanërisht në kuadër të procesit të dialogut në vazhdim.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqe të mundshme nëse udhëheqësit kosovarë provokojnë konfrontime të drejtpërdrejta me KFOR-in.
“Në fakt kjo është një propagandë e Vetëvendosjes apo kryeministrit Kurti, sepse partnerët ndërkombëtarë nuk janë kundër hapjes së Urës së Ibrit, vetëmse kërkohet sikurse më herët te disa procese kujdes, dhe koordinim dhe në kuadër të kontekstit të dialogut”, u shpreh Cana.
“Megjithatë kjo është një situatë ndryshe nga të tjerat, dhe mendoj se cilido lider shkakton përplasje direkte me KFOR-in, përbën një rrezikim të sigurisë më të madhe nacionale, që nga përfundimi i luftës”, deklaroi ai.
Sipas tij, lëvizjet e Kurtit janë për përfitime elektorale, duke synuar të rrisin bazën e tij të mbështetjes përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Ky veprim është veprim puro-elektoral, në kohën kur më së shumti kemi njerëz nga diaspora, është spektakël para-elektoral me qëllim të ngritjes së përqindjes duke marrë parasysh që kjo qeveri po e dëshmon çdo ditë që nuk ka rezultat në asnjë fushë”, tha ish-amabsadori.