Isa Mustafa: Nuk iu besohet deklaratave të presidentes për Qeverinë, po i bën për fushatë paraelektorale
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, presidentja Osmani nuk mund të distancohet lehtë nga Qeveria.
Mustafa thekson se, Osmani nuk është distancuar në asnjë veprim arbitrat të Qeverisë, teksa shton se shpesh ka vepruar edhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Te kjo e fundit, Mustafa përmendi rastin e kryeprokurorit të shtetit, ku sipas tij, Osmani ia ka përmbushur kërkesat kryeministrit.
“Presidentja nuk mund të distancohet aq lehtë nga Qeveria. Asociacioni ose Autonomia e entitetit serb në Kosovë në versionin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është pranuar më 2023 nga lidershipi aktual i Kosovës”, tha Mustafa në një përgjigje dhënë për GazetaBlic.
“Presidentja e vendit nuk është distancuar në atë kohë, nuk është distancuar nga asnjë ligj antikushtetues dhe nga asnjë veprim arbitrar i qeverisë. Ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën në rastin e kryeprokurorit të shtetit, duke ia përmbushur kërkesat kryeministrit dhe e ka shkarkur pa bazë kushtetuese Kryetaren e KQZ-së, në interes të pozitës dhe në heshtje të një pjese të opozitës”, shtoi ai.
Teksa foli për kritikat e fundit të Osmanit karshi Qeverisë së Albin Kurtit, Mustafa potencoi se nuk duhet t’i besohet.
Sipas tij, këto deklarata janë për fushatë paraelektorale.
“E tani, kur nuk e ka mbështetjen e qeverisë, deklarohet se s’mund ta shkarkojë ambasadirin në Kroaci, sepse nuk ia lejon Kushtetuta?! Të gjitha këto deklarime i konsideroj si pozicionime në fushatën paraelektorale, jo si qëndrime që meritojnë tu besohet”, tha Mustafa.