IPK-ja kërkon suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Veri
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Veri të Kosovës.
IPK-ja ka thënë se kërkesën e kanë bërë pasi që njëjtit dyshohet se kanë keqtrajtuar një qytetar para disa ditësh.
“Duke ju referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut”.
“Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast”, ka thënë IPK-ja.
Nga ky institucion është thënë se në kuadër të autorizimeve ligjore do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
Më herët, IPK kishte njoftuar se sipas raporteve zyrtare incidenti kishte ndodhur më 26 tetor, kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.
Më 26 tetor IPK-ja të shtunën, nëpërmjet një komunikate për media, njoftoi se përmes një hetimi do të verifikojë pretendimet e një qytetari serb nga Mitrovica e Veriut se është keqtrajtuar nga zyrtarët policorë gjatë arrestimit.
“Inspektorati Policor sipas detyrës zyrtare ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga Policia, pretendime që janë bërë publike sot në media të ndryshme dhe ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut”, thuhej në njoftim.
Policia e Kosovës ka mohuar këto pretendime, duke deklaruar se i njëjti kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kishte tentuar të shkaktonte dëm në një objekt tregtar.