iPhone 16 me risitë e inteligjencës artificiale
Apple zyrtarisht e ka “përqafuar” inteligjencën artificiale me modelet e reja të iPhoneit, duke shënuar përpjekjen më të fundit për ta transformuar një prirje të re teknologjike.
Të hënën, kompania amerikane i lansoi modelet iPhone 16 Pro, iPhone 16 Pro Max, iPhone 16 dhe iPhone 16 Plus, duke inkorporuar në to edhe platforma të AI-së.
Versioni i fundit u proklamua si “inteligjenca e Appleit” dhe pavarësisht markës unike, Apple imitoi shumë prej veçorive që tashmë janë të qasshme në Samsung S24, që u publikuar në janar, ka shkruar AP.
Apple po bashkohet me kompaninë OpenAI për t’iu dhënë qasje përdoruesve në disa prej platformave me inteligjencë artificiale. Pos iPhonëve, Apple ka prezantuar edhe një version të ri të orës inteligjente dhe gjeneratën e re të AirPods Pro, që do të jenë shumë të përditësuara.
Shefi i Apple, Tim Cook, kishte paralajmëruar se pakoja AI do të nxjerrë në pah risitë që do t’ua ndërrojnë njerëzve jetën.
iPhone 16 me modelet e tij do të dalë në shitje nga 20 shtatori dhe çmimet do të variojnë nga 800 deri në 1200 dollarë.