LDK mirëkupton qëndrimin tim për Luginën, kjo çështje nuk është hajgare

Periskopi.com Intervista

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, në një intervistë për Peirksopin, flet për idenë e tij të kahershme për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës, ide të cilën, dikur presidenti, atëkohë kryeministër, Hashim Thaçi e kishte quajtur ‘shumë të rrezikshme’. Si i përgjigjet Haziri Thaçit. A ka mbështetje në LDK zoti Haziri për idenë e tij? Çka u diskutua në mbledhjen e fundit të LDK’së? Si i përgjigjet z. Haziri kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili e quajti ditë më parë z.Haziri ‘shakaxhi’, duke iu referuar pikërisht idesë për Luginën e Preshevës. Cilat janë problemet e brendshme në LDK, që kryeministri Haradinaj thotë se po e pengojnë votën e LDK’së në Kuvend për marrëveshje të rëndësishme për Kosovën….

-Intervista e plotë – 

Periskopi: Z. Haziri, kur ju keni nisur idenë e shkëmbimit të territoreve, presidenti Hashim Thaçi, atëkohë kryeministri, pati kundërshtuar ashpër, veç tjerash duke thënë se kjo ishte ‘në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare’. Tani, Thaçi në njërën nga konferencat e fundit të tij, i është referuar propozimit tuaj duke thënë se ‘do ta shikojë në tërësi deklaratën tuaj dhe do të ndërtojë një opinion rreth saj’. Pas kësaj, Thaçi haptas, pothuajse çdo ditë përmend idenë e shkëmbimit të territoreve, ne veçanti Luginën e Preshevës. Pse mendoni se po ndodh kjo?

Lutfi Haziri: Në radhë të parë më lejoni ta shpjegoj terminologjinë që po përdoret në Kosovë: shkembim territoresh, ndarje e Kosovës, ndarje e brendshme e Kosovës, autonomi politike territorial për serbët e Kosovës, gjithçka është terminologji që e frikëson popullatën shumicë, e frikëson politikisht lidhur me defunksionalizimin e Republikës së Kosovës, që në fakt nëse si e tillë ndodh edhe e shkakton. Ajo që unë në vitin 2011 unë e kam propozu, e kam inicu edhe asht pasu me rezolutën e Kuvendit në vitin 2013. Kuvendi i Republikës me konzensus të plotë të shumicës shqiptare në Kuvend me mbështetjen edhe të faktorit politik të Preshevës, ka miratu një rezolutë për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ma vonë, unë kam dëgju që vet presidenti, jam kuotu dhe jam citu lidhur me këtë ide, përkundër që në vitin 2011 e ka cilësu sit ë rrezikshme dhe ka kërku nga LDK që të sqarohet se a qëndron LDK’ja prapa saj a po jo. Natyrisht, unë kam dashtë vetëm me ba ofertë publike dhe njoftim për atë që ka me ndodh në Kosovë, që në fakt ky vit po tregon qartë se është opcionalisht dialogu lidhet edhe me realizim të të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Asnjë marrëveshje paqësore nuk mund të kundërshtohet nga askush, asnjë marrëveshje që bahet me njohje reciproke nuk kundërshtohet nga askush dhe natyrisht për mu, problem mes shqiptarëve dhe serbëve është problem territorial, nuk është problem i të drejtave të njeriut, i të drejtave të pakicave nacionale, në këtë rast serbëve. Apo i të drejtave tjera sepse këta në Kosovë trajtohen me parimin e diskriminimit pozitiv, sepse kanë të drejta asimetrike, kanë të drejta më shumë se turqit, boshnjakët dhe komunitetet tjera, kanë të drejta në pushtetin lokal, kanë të drejta në fushën e sigurisë, kanë të drejta edhe në fushën e gjyqësorit përkundër karakterit unitar që ka Republika e Kosovës. Atëherë nëse të gjithë e dimë që këto të drejta nuk po i kënaqin pakicat serbe, pse nuk po e konstatojmë faktin që problem është territorial dhe përcaktimi i kufirit fillon në Gjilan, mes Gjilanit dhe Vitisë në trekandëshin kufitar Kosovë – Maqedoni – Serbi, dhe përfundon në Istog, i tanë territori kufitar që përshkuan Vargmalet e Karadakut, Vargmalet e Gollakut, Vargmalet e Llapit, të Shalës e deri te Istogu është vijë e papranuar nga ana e Serbisë, vijë që kërkon një marrëveshje politike për ta përballuar njohjen e këtij kufiri dhe njohjen e shtetit të Kosovës.

Periskopi: Idenë tuaj e komentojnë në forma të ndryshme, madje edhe brenda vetë LDK’së. Shefi i GP të LDK’së, z. Avdullah Hoti, ka thënë se këto nuk janë qëndrime të partisë. Kur Ju flisni për shkëmbime territoresh, LDK kërkon zgjedhje në këtë situatë, duke kontestuar edhe vetë z. Thaçi si udhëheqës të dialogut. Si e komentoni këtë ? Çka diskutuat në mbledhjen e fundit?

Lutfi Haziri: Natyrisht, unë gjithmonë kam thënë që prej deklaratës së zotit Isa Mustafa në vitin 2011 e tutje që LDK ka qëndrim dhe mbrojmë parimin e qëndrimit të Grupit të Kontaktit gjatë kohës së satusit final të Kosovës, gjatë bisedimeve të Vjenës dhe këtë qëndrim LDK që nga atëherë nuk e ka ndryshu, sa i përket zgjidhjes së problemit të Kosovës dhe zgjidhjes së problemit në regjion, në përgjithësi ish-Jugosllavia, shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe problemeve tjera që ka rajoni. Edhe në mbledhjen e fundit është konfirmu e njëjta, është konfirmu mosndryshim i qëndrimeve, shumica në kryesi besojnë se kjo është politikë më e drejtë dhe natyrisht unë si nënkryetar jam lojal në këtë qëndrim. Ka mirëkuptim brenda strukturave të LDK’së për konsistencën time politike në raport me zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Kosovën Lindore, natyrisht duke ruajtur karakterin unitar të Republikës së Kosovës, edhe territorin e Republikës së Kosovës që e ka sot në parimin e shpalljes së kufijve në vitin 1974. Kjo është ajo që mua më dallon politikisht nga partia ku jam nënkryetar. Por besoj shumë që koha ka me dëshmu që pa zgjedhjen e problemit me Serbinë nuk ka as normalizim e të mos flasim për një proces pajtimi mes shqiptarëve dhe shqiptarëve.

Periskopi: Kryeministri Haradinaj iu ka quajtur ‘shakaxhi’ duke iu referuar deklaratës për shkëmbim territoresh? Ka edhe zëra të tjerë që idenë tuaj e shohin vecse një deklaratë për konsum elektoral. Analisti Daniel Serëer e sheh si luftë mes jush, z. Thaçi dhe Vetëvendosjes këtë ide. Si u përgjigjeni këtyre qëndrimeve karshi idesë tuaj për Luginën?

Lutfi Haziri: Natyrisht që opinioni i zotit Server si një prej autoriteteve më të larta edhe të politikave amerikane në Ballkan, është njëri prej njohësve më të mirë të politikave të Ballkanit dhe të regjionit tonë. Zoti Server ka qenë i njohur me idenë time që prej vitit 2011, në konferenca të ndryshme, në takime, në vizita e kam trajtu këtë çështje.

Te konsumi i brendshëm politik në Kosovë, në Kosovë, edhe më tutje po kualifikohen të drejtat politike të shqiptarëve të Luginës si punë hajgaresh ose si punë votash, është për keqardhje sepse këta njerëz nuk kanë të drejtë vote në Kosovë edhe aq më keq, nuk po votojnë as në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe janë pa të drejta politike në Serbi dhe pa të drejta civile në Kosovë. Nëse shihet në këtë rrafsh, e vërteta del në shesh. Ata nuk kanë të drejtë vote e as shtetësie në Kosovë përkundër që serbët e lindur në Kosovë ose prindërit e tyre të lindur në Kosovë, automatikisht u njihet shtetësia. Këta njerëz kanë mbetur të diskriminuar ne Serbi nga regjimi atje dhe me diskrimim edhe në Kosovë me mosnjohjen e shtetësisë. Kanë nevojë për zgjidhje, nuk kanë nevojë për hajgare.

Periskopi: Rreth idesë për shkëmbim territoresh, ka edhe deklarata me konotacion mjaft konspirativ. E fundit ishte e një deputeti në Kuvendin e Kosovës, i cili tha mes tjerash se ‘Lutfi Haziri nuk e ka dhënë këtë ide krye në vete, por e kanë shtyrë ndërkombëtarët’. Si i përgjigjeni ju kësaj?

Tash jemi në vitin e tetë nëse e shikojmë në pasqyrë, krejt këtë problem nëse e shikojmë prej vitit 2011 është ba riafirmimi i kërkesave, por unë qëndroj prapa referendumit të deklaruar të shqiptarëve në Luginë. Është vullnet i tyre politik i cili duhet të mbrohet dhe natyrisht është dashte me kalu kohë me gjetë mirëkuptim në Prishtinë, Beograd, Tiranë, edhe në Bruksel, Berlin e Uashington për zgjidhjen afatagjate të problemit. Nëse flaism për zgjidhje afatgjate të problemit, jam shumë i bindur se kjo është zgjidhja.

Periskopi: Kryeministri Haradinaj thotë se LDK ka probleme të brendshme. Për këtë sipas tij, LDK nuk po voton marrëveshje të rëndësishme që sjellin ‘para falas’ (si shprehet z. Haradinaj) për Kosovën. A ka LDK probleme të brendshme, ose cilat mund të jenë problemet e brendshme që qenkan pengesë për LDK’në që të votojë marrëveshje të tilla? (si rasti i fundit në Kuvend me fondet e IPA’s).

Lutfi Haziri: Ju konfirmoj edhe ju siguroj se LDK ma unike, në këto 10 vjetët e fundit nuk ka qenë asnjëherë. Që prej ndarjes së dhimbshme dhe të inskenuar të vitit 2006, LDK është dashtë me kalu një rrugë të vështirë të unitetit të saj. Në të gjitha proceset që ne kemi kalu kemi kalu me dhimbje politike. Por jemi në një kohë që tash, LDK jo vetëm që është parti e parë në Kuvend dhe udhëheq në shumicën e komunave dhe ka një mbështetje të madhe politike në vend, ne jemi konform kësaj duke e ndërtu këtë unitet. LDK nuk ka asnjë lloj problem, as më të voglin edhe sa i përket angazhimeve politike edhe të Grupit Parlamentar, edhe Kryesia, edhe Këshilli Drejtues edhe degët e saj. Ne kemi program pune, kemi kalendar pune, kemi ideologji tona dhe po u përmbahemi me përpikmëri. Uniteti i LDK’së është më i vlefshëm se gjithçka tjetër. Ndërsa kur vjen pun ate perspektiva evropiane e Kosovës edhe marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me fondet e IPA’s, edhe kur vjen puna për marrëveshje që ndihmojnë Kosovën për t’u avancuar në struktura euro atlantike janë çështje e Kuvendit. Kuvendi edhe partitë në qeverisje, në këtë rast PAN’i, duhet me koordinu punën me Grupin tonë Parlamentar. Nuk ka angazhim bllanko, nuk ka votë bllanko askund dhe të mos presin që LDK ka me u sjellë bllanko karshi proceseve në Kuvend të Republikës. Ne tash e tutje,për gjithçka, kemi paralajmëru, edhe më herët zotin Kadri Veseli edhe nënkryetarët e tyre, në momentin e rrëzimit të qeverisë së LDK’së, kemi bat ë qartë rolin tonë për kohën q ëpo jetojmë. Është mirë që zoti Veseli me ua shpjegu partnerëve të vet se cili ka qenë qëndrimi jonë. Ky qëndrim tash është aktivizu, në përjashtim të demarkacionit për të cilin kemi dashtë me dëshmu që konstruktiviteti jonë të mos i dënojë qytetarët për viza. Asgjë më shumë në raportet tjera. Jashtë kësaj, e kisha lutë që brenda Kuvendit nëse kanë nevojë për votën tonë duhet me u koordinu brenda Kuvendit të Republikës. /Periskopi/

 

Shpërndaje në: