Instituti për Trashëgimi Kulturore: Do e bëjmë të pamundurën që t’i ndalojmë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

Instituti për Trashëgimi Kulturore: Do e bëjmë të pamundurën që  t’i ndalojmë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”

Periskopi ka raportuar përmes burimeve se Inspektorati i trashëgimisë kulturore ua ka ndaluar punimet e Komunës së Prishtinës për rregullimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, projekt ky që kap shifrën e 18.4 milionë euro.

Ky shesh shtrihet afër tri objekteve, Grand Hotel, objekti i Radio Kosovës dhe Universiteti “Hasan Prishtina” të cilat janë në mbrojtje të trashëgimisë.

Ky lajm është konfirmuar nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Nga ky institucion kanë thënë se komuna nuk e ka paraqitur këtë projekt për miratim në institucionin e tyre.

“Komuna nuk e ka paraqitur këtë projekt për miratim në institucionin tonë, edhe pse ai kufizohet me katër monumente. Ligji përcakton qartë se çdo projekt duhet të miratohet paraprakisht ne si institute do e bëjmë të pamundurën që këto punime t’i ndalojmë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Kanal10.

Ndalohen punimet në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Ndryshe, ky projekt i ka kushtuar Komunës së Prishtinës, hiç më pak se 18.4 mil euro.

Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-Prokurimi, për ndërtimin e këtij sheshi është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari; Gjini Construction Sh.P.K; Hidroterm Sh.P.K”.

Për realizimin e këtij projekti kanë aplikuar katër operatorë.

Kohëzgjatja e këtij tenderi është maksimumi 360 ditë, siç përshkruhet në dosjen e tenderit.

Procedura e prokurimit për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’, ishte pezulluar më 12.09.2024, si shkak i një ankese nga një operator ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit, masë kjo e paraparë me ligj.

Kështu kishte bërë të ditur vetë Komuna e Prishtinës përmes një komunikate të lëshuar për media, pas raportimeve se ishte pezulluar procesi për shkak të shkeljeve ligjore.

“Dorëzimi i kësaj ankese në OSHP nga operatori ekonomik nuk nënkupton shkelje procedurale e ligjore a as ndalim të aktivitetit të prokurimit, por është masë automatike e paraparë me ligj pavarësisht nëse ankesa është e bazuar apo jo. Pra, çdo herë kur një operator ekonomik parashtron ankesë në OSHP, aktiviteti i prokurimit pezullohet në mënyrë automatike. Kjo është paraparë me nenin 112, paragrafi 1, i Ligjit për Prokurim Publik”- kishte  bërë të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet komunikatës së lëshuar më 12.09.2024.

Ndërsa,  procedurat për ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’ pranë Katedrales, që do të zgjatet deri te Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, kishin nisur në gushtin e vitit 2023.

Sipas të dhënave nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kostoja e këtij projekti pritet të arrijë në 18 milionë e 400 mijë euro.

Krijimi i një sheshi të Katedralja ka qenë pjesë e programit qeverisës të Përparim Ramës i cili ka deklaruar disa herë se kjo zgjatje është vetëm pjesa e parë, pasi plani është që sheshi të zgjatet në fazën e dytë deri të Posta e Madhe që më pas lidhet edhe me Xhaminë në Dardani e cila është në ndërtim, derisa gradualisht të vazhdojë deri tek rrethi me flamur në ‘Ulpianë’.

Krijimi i sheshit te Katedralja është përmendur edhe gjatë qeverisjes së ish-kryetarit, Shpend Ahmeti, projekt ky si pjesë e planit të mobilitetit për Prishtinën.

Plani i mobilitetit i punuar nga Mott MacDonald në vitin 2019 është plan 12-vjecar që përfshinë disa reforma në infrastrukturën e qytetit, përfshirë shtigjet e çiklizmit, shtrimin e rrugëve të reja, reformim të transportit publik, përfshirë pritoret etj./Periskopi/

‘Do të transformohet kryeqyteti’, Rama flet pas nisjes së punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”

Shpërndaje në: