Instagrami nga tash do t’ju paralajmërojë para se të postoni diçka fyese

Instagrami nga tash do t’ju paralajmërojë para se të postoni diçka fyese

Gjatë muajve dhe viteve të fundit, Facebooku ka vendosur të përpiqet t’i mbrojë përdoruesit e vet nga përmbajtja potencialisht fyese.

Një mënyrë se si kompania e bën këtë është t’i paralajmërojë përdoruesit në Instagram në rast se postojnë komente që mund të konsiderohen fyese. Ky funksion filloi të shfaqej gjatë verës së këtij viti.

Tani, ky funksion i paralajmërimit po zgjerohet edhe në postimet e reja në feed, ndërsa do të funksionojë si më parë, shkruan KOHA Ditore. Kur algoritmi AI i Instagramit zbulon se postimi mund të përmbajë shenja abuzimi, aplikacioni do ta njoftojë përdoruesin se komentet e ngjashme tashmë janë raportuar për këtë arsye. Përdoruesit do të kenë mundësinë t’i rishikojnë fjalët që i përdorin para se ta postojnë përmbajtjen.

Instagrami thekson se ka rezultate pozitive nga zbatimi i këtij funksioni në Instagram dhe se ndryshimi mund ta zvogëlojë abuzimin dhe të ndihmojë në edukimin e përdoruesve për gjërat që lejohen në platformë. Funksioni është në dispozicion të përdoruesve në vende të caktuara të zgjedhura, por do të vihet në dispozicion gjerësisht me kalimin e kohës.

Përveç mbrojtjes së përdoruesve nga abuzimet, Instagrami ka bërë përparim edhe në mbrojtjen e sigurisë dhe privatësisë së publikut me moshë të re, duke i parandaluar përdoruesit nën moshën 13-vjeçare të krijojnë llogari. Në të ardhmen, shërbimi gjithashtu do t’i rekomandojë disa konfigurime të privatësisë bazuar në moshën e shfrytëzuesve.

 

 

Shpërndaje në: