Inspirim: Gjyshja 71 vjeçare që bën 20 orë në javë fitnes
Mary Duffy nga Connecticut, edhe pse 71-vjeçe, është duke përjetuar një rini tjetër. Ajo shprehet se ndihet më mirë se 30 vjet më parë. Arsyeja? Përkushtimi në palestër.
Kthesa e madhe nisi në vitin 2007, kur nëna e saj ndërroi jetë dhe Mary mori shumë kilogramë. Ajo nisi të frekuentonte rregullisht palestrën dhe që në vitin e parë arriti të humbiste më shumë se 20 kilogramë. Shpejt, ajo u bë kampione për moshën e saj në ngritjen e peshave.
Aktualisht, Mary kalon të paktën 20 orë në javë në palestër, ndërsa ka më shumë se 30 rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare për moshën e saj.
“Nisa të shkoja në palestër kur po merrja kile me ritme të shpejta. Pash veten në pasqyrë dhe thash: kjo nuk jam unë”, tregon Mary, shkruan Daily Mail.
“Rashë nga pesha me shpejtësi dhe kuptova se sa më shumë stërvitesha aq më shumë më pëlqente të frekuentoja palestrën. Unë jam 71 vjeçe aktualisht dhe ndjehem shumë më mirë fizikisht se sa kur isha në moshën 40-vjeçare. Shumë njerëz më thonë se jam shumë e moshuar për ta bërë këtë gjë, por komentet frymëzuese janë shumë herë më shumë dhe kjo më bën që të vijojë rutinën time. Nuk do të heq dorë”.