Inspektori i ATK-së thotë se Shefqet Krasniqi nuk i iku tatimit, fjala përfundimtare me 20 mars

Periskopi.com Lajme

Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi ka kryer të gjitha obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Kështu deklaroj në seancën gjyqësore të së martës inspektori i ATK-së, Xhemë Shala.

I ftuar nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë në cilësinë e dëshmitarit, Shala tha se Shefqet Krasniqi nuk ka fshehur të dhënat nga ATK-ja.

“Aq sa kam parë nga gjendja e tatimpaguesit pranë ATK-së, e di që i ka kryer të gjitha obligimet”, tha inspektori i ATK-së gjatë dëshmisë e tij.

Shefqet Krasniqi po akuzohet  për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, dëshmitari u pyet rreth  raportit të  përpiluar nga ai për ndërmarrjen “Portat”,  e cila ishte në pronësi të të akuzuarit Shefqet Krasniqi.

Shala  u pyet nëse  qëndron prapa kontrollit të raportit dhe aneks kontrollit të bëra në vitin 2016.

Ai tha se raporti i kontrollit është i përpiluar nga ana e tij, nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të ekipit dhe menaxherit regjional, dhe  se në tërësi qëndron prapa  këtij  raporti.

Në  Aneks kontrollin sipas tij  janë pasqyruar të gjitha, dhe i vetmi ndryshim është termi që përdoret në vend të tatimit shtesë apo obligim tatimor, figuron fjala shmangie tatimore, që në punën e përditshme, sipas dëshmitarit përdoret edhe si tatim shtesë.

Dëshmitari tha se gjatë gjithë ecurisë së kontrollit ka qenë bashkëpunimi për të gjitha të gjeturat e kontrollit.

‘Në përfundim të kontrollit i ofrojmë tatim paguesit një draft-raport me të gjitha të gjeturat e kontrollit, ndryshimet nga kontrolli, bazën ligjore për ndryshime dhe ka afatin prej 5 ditë të punës mund ti ofroj ATK-së për ta ndryshuar raportin. Nuk ka pasur vërejtje në raport por as nuk ka pasur prova për ndonjë ndryshim të draft-raportit”, tha dëshmitari.

Ai tha se  nuk e di se sa ka paguar detyrim tatim i akuzuari.

Mirëpo sipas tij, tatimi bazë i tatimpaguesit ka qenë rreth 20 mijë euro, duke shtuar se  kjo shumë ka qenë pa ndëshkime.

Sipas inspektorit të ATK-së, hapja e kontrollit ndaj të akuzuarit Shefqet Krasniqi ishte bërë me kërkesë të Krimeve Ekonomike.

Sipas tij, Krasniqi si tatimpagues e kishte shfrytëzuar edhe Ligjin për faljen  e ndëshkimeve, ku një pjesë e borxhit i ishte falur.

Pas përfundimit të dëshmisë së inspektorit të ATK-së, trupi gjykues caktoj seancën e fjalës përfundimtare, e cila do të mbahet më 20 mars në ora 15:00.

Sipas aktakuzës Shefqet  Krasniqi veprat për shtytje në kryerjen e veprave terroriste e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e akuzon Krasniqin që  në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.

Po ashtu sipas aktakuzës Krasniqi ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, imami Krasniqi  si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej  20,208.57 €./Periskopi/