Inspektorati i Tregut mbyll 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorati i Tregut mbyll 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë mbyll përkohësisht 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate në tërë territorin e Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.

Aksioni i përbashkët i Inspektoratit të Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, dhe me inspektorët nga ATK, kanë realizuar një aksion të gjerë inspektimi tek operatorët ekonomikë, që ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore qendra masazhi dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate).

“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 126 subjekteve ekonomike, përkatësisht 69 operatorë ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe 57 operatorë ekonomikë, që ushtrojnë veprimtari tregtare, aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate). Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 34 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Më tej bëhet e ditur se ndaj operatorëve ekonomikë, që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 45 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

Për më tepër thuhet se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, konform kompetencave ligjore që ka, do t’i vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi.

Shpërndaje në: