Imazh i keq për Kosovën – Refuzimi i Kurtit për të shkuar në Prokurori bëhet kryetemë në mediat ndërkombëtare

Imazh i keq për Kosovën – Refuzimi i Kurtit për të shkuar në Prokurori bëhet kryetemë në mediat ndërkombëtare

Ani pse më shumë jepte intervista për mediat ndërkombëtare sesa në mediat vendore, kryeminsitri Albin Kurti sot i ka mbushur ballinat e mediave prestigjioze se qysh po e refuzon Prokurorinë Speciale, e cila e ka ftuar ta intervistojë si dëshmitar për skandalin me rezerva shtetërore, shkruan Periskopi.

Është agjencia e lajmeve Associated Press ajo që ka raportuar për këtë refuzim, duke e sqaruar në pika të shkurta rastin.

“Kurti, i cili fillimisht u ftua në dhjetor dhe refuzoi, ka kërkuar që dëshminë ta japë në zyrën e tij. Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë tjerë po. Pak detaje janë bërë publike”, ka raportuar AP.

Agjencia më tej e citon Kurtin të ketë thënë se kërkesën e prokurorisë e konsideron si të motivuar politikisht.

“Po e përdorë dhe keqpërdorë lirinë e saj për të luftuar qeverinë, jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, u ka thënë Kurti gazetarëve, sipas AP.

 “Kryeministri i Kosovës refuzon përsëri të dëshmoj në Prokurori për një rast të korrupsionit” – thuhet në titullin e “Washington Post” .

Të njëjtin titull e patën edhe mediat tjera të njohura si “Independent”, “Yahoo News” dhe “Times Union”.
Kurse “Deutsche Welle” në versionin shqip në titull shkruante “Kosovë: Kurti nuk paraqitet në Prokurori”.

Kujtojmë se sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar për refuzimin e ftesës nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se “dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.

 

Shpërndaje në: