Iluzionet ministrore për energjinë e rinovueshme
Si do të arrijë Kosova në tri vjetët e ardhshme të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore, kur akoma asnjë punë konkrete për të arritur këtë synim nuk ka nisur?
Mehmet GJATA
Tani, kur me përmasa alarmuese kriza energjetike ka përfshirë gjithë botën, edhe shtetet e fuqishme ekonomikisht dhe me industri të zhvilluar, në republikën tonë po shpërfaqen dhimbshëm pasojat e gabimeve permanente nga autoritetet dhe institucionet në ndërtimin e kapaciteteve të reja elektroenergjetike, në ripërtëritjen e domosdoshme të termocentraleve ekzistuese dhe në vizionet për të ndërtuar sa më shpejtë dhe sa më shumë kapacitete të energjisë së ripërtëritshme, qoftë nga era qoftë sosh nga dielli.
Kosova, shkurt e shqip, me fajin e vet në radhë të parë, sot është e përfshirë dhe egërsisht e kapluar nga kriza energjetike për mungesë të energjisë së prodhuar nga stabilimentet vendore dhe për mungesë parash për të importuar energji super të shtrenjtë edhe në këto ditë verore. Kosova është ngërthyer dhe në njëfarë mënyre është bllokuar në shumë segmente zhvillimore nga kriza e rishfaqur tani në gusht, edhe pse i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë të gjitha parakushtet për të pasur edhe kapacitete të reja elektroenergjetike, qoftë sosh me qymyr, qoftë kapacitete të energjisë së gjelbër.
Dhe, në këtë mënyrë, Republika jonë i pati tash e dy dekada parakushtet e favorshme për të pasur energji të mjaftueshme për nevojat e veta nga kapacitetet vetanake. Por, që nga viti 2000 e deri më tash, zyrtarët tanë, kompetentë për të siguruar energjinë elektrike të nevojshme për qytetarët e këtij vendi, nuk ditën, nuk patën vizione të qarta, apo nuk deshën të shfrytëzojnë këto favore dhe rrethanat fatlume që natyra ia ka ofruar Kosovës: Rezervat kolosale dhe të pafundta të qymyrit, thuaja në sipërfaqe të tokës, por nuk bënë ndonjë veprim të mençur dhe të efektshëm as për të ndërtuar më shpejtë ndonjë kapacitet elektroenergjetik për të prodhuar energji të ripërtëritshme.
Dhe në këtë mënyrë, Kosova tashmë, kur kriza energjetike ka pllakosur thuaja tërë globin, duhet detyrimisht të aplikojë regjim reduktimesh edhe në muajt e verës. Ndërsa, edhe optimistët e pandreqshëm, më nuk po shohin ‘dritë në fund të tunelit”, për periudhën dimërore, kur Kosovën kontinentale dijnë ta kaplojnë temperaturat ekstreme të ftohta, acaret e pashembullta dhe ditë të tëra me reshja jo të pakta bore.
Çka do të bëjë Kosova dimrit pra, kur në muajt e verës, në gushtin me vapë, po detyrohet të lë në terr qytetarët e vet me orë të tëra brenda ditës?
Zyrtarët kompetentë dhe Ministria e Ekonomisë, duhet thënë, pos premtimeve të parreshtura se “po punohet shumë për të krijuar kushte për të pasur më shumë rrymë edhe në sezonin e dimrit”, nuk bënë praktikisht asgjë, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për ta shtuar prodhimin vendor, qoftë me megavatë-orë të energjisë nga termocentralet e stërvjetëruara, qoftë për nisjen e ndonjë kapaciteti të ri të energjisë së ripërtëritshme, që merr më pak kohë, por edhe me pak mjete financiare derisa të finalizohet. Ç’është e vërteta, objektivat mjaft ambicioze të parapara në draft-Strategjinë energjetike 2022-2031 për të pasur goxha sasi të madhe të energjisë së rinovueshme brenda 3 vjetësh dhe deri më 2031, ishin një sihariq i këndshëm te opinioni kosovar dhe u imponuan tek njohësit e zhvillimeve energjetike, të cilët përkrahin këto synime, por edhe shpërfaqin skepsën e tyre, duke i bërë të diskutueshme afatet e përcaktuara në Strategji dhe realizimin e tyre brenda këtyre afateve.
Dhe tani, kur po i ofrohemi vitit 2023, po del se njohësit e zhvillimeve energjetike, kanë pasur të drejtë kur u deklaruan skeptik dhe kur shfaqën dronë e tyre se këto synime për energji të ripërtëritshme paskan qenë goxha të pamata dhe thuaja iluzore. Sepse, Strategjia energjetike e Kosovës 2022-2031, gjithsesi, megjithë qëllimin e mirë, ishte e përshkruar me një dozë të optimizmit goxha utopist sa i përket objektivave strategjike të sigurimit të energjisë elektrike për nevojat e shtuara të Kosovës, e sidomos të sigurimit të kuotave të caktuara ambicioze të energjisë së rinovueshme.
Në Strategjinë energjetike, primare dhe objektiv strategjik mbetet dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme. Këtë e ka potencuar me dhjetëra herë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031.
Sipas Rizvanollit, Kosova në tri vitet e ardhshme do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tre viteve të ardhshme do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, thuhet në Strategji.
Ajo ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore.
Ministrja Artane Rizvanolli në shumë raste ka shpalosur edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur. Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive me kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krjuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike.
Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.
Por, po të analizohen punët dhe veprimet konkrete për të nisur së paku ndonjë punë për të pasur megavatët e parashikuar dhe të premtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe kreu i saj, shihet se në këtë periudhën nga janari deri në fund të gushtit, thuaja asnjë veprim i vetëm nuk është bërë për të pasur kaq shpejtë gjithë këta megavatë të premtuar.
Prandaj, jo më kot njohësit e zhvillimeve energjetike shtruan që në fillim dilemat se a janë reale dhe të realizueshme objektivat strategjike sipas draft – strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031, objektiva këto që përqendrohen kryesisht te dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme?
Dhe, më konkretisht, a mundet Kosova të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore, siç parashihet në draft-strategjinë energjetike, ose a mundet Kosova të ketë në vitin 2025 dy herë më shumë energji të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme, krahasuar me ato që i ka pasur gjatë vitit 2021.
Ndërsa, në kontekst të parashikimeve të objektivave të Stategjisë, cilat janë mundësitë (qoftë financiare, qoftë të burimeve të energjisë së rinovueshme), që deri në vitin 2031 Kosova të arrijë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore?
Shumë bashkëbisedues të Buletinit Ekonomik, njohës të mirë të zhvillimeve elektroenergjetike në vend, por edhe të angazhuar për shumë vite me punë në kapacitetet prodhuese të deritashme të vendit, kanë theksuar se thuaja është e pamundshme që të arrihet që brenda 3 vjetësh të ketë Kosova 500 megavatë energji të ripërtëritshme, kur dihet se asnjë projekt i ri i energjisë së pastër nuk është tërësisht i gatshëm për t’u filluar me punët e ndërtimit, ndërkohë që as që dihet se si do të financohen kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme dhe si dhe nga do t’i sigurojë Kosova e varfër gjithë ato para, të domosdoshme për të ngritur kapacitetet e reja të energjisë së rinovueshme.
Sipas tyre, 3 vjet është një afat fare i shkurtër, dhe ky afat vie sa çelë e mbyllë sytë, ndërkohë që Kosova nuk është duke ndërtuar asnjë kapacitet të ri, qoftë me panele solare, qoftë të prodhimit të energjisë në bazë të erës. Madje, as që është në fazën e nisjes së ndërtimit të ndonjë kapaciteti të këtillë, ndërkohë që kanë mbetur vetëm edhe 4 muaj që të nisë 2023-ta. Mbështetur në ecurinë e ndërtimeve të deritashme të objekteve industriale në vend, një kapacitet energjetik në bazë të erës, ta zëmë, edhe po të fillohej sot, që tani të ndërtohej, vështirë se do të finalizohej brenda 3 vjetësh.
Të supozojmë se centralet në bazë të diellit do të ndërtoheshin paksa më shpejtë dhe do të kushtonin goxha më lirë. Megjithatë, bërja e projekteve të nevojshme paraprake dhe i fizibilitetit për akcilin kapacitetet të energjisë së rinovueshme duan kohë, e mos të flasim për realizimin deri në finalizim të këtyre projekteve, që jo rrallë nga prolongimet e parreshtura të afateve jo në pak raste kemi qenë pafundësisht të dëshpëruar. Ndërkohë, që nga bërja publike e synimeve të Strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031, thuaja asnjë aktivitet institucional rreth realizimit të ndonjë projekti që do të prodhonte energjinë elektrike të rinovueshme të paraparë si objektiv (500 megavatë brenda tre vjetësh energji të ripërtritëshme), nuk është ndërmarrë. Së paku, nuk është bërë publik asnjë punë konkrete rreth nisjes së sendërtimit të objektivave për të pasur 500 megavatë brenda 3 vjetësh.
Tash për tash ka vetëm vizione dhe premtime të objektivave paksa më të saktësuara. Ç’është e vërteta, pos projektit të paralajmëruar para tre-katër muajsh me emërtimin “Solar4Kosova”, që nuk është i detajuar tërësisht, nëse do të llogaritet si kapacitet-pjesë e Strategjisë energjetike 2022-2031, për përmbushjen e synimeve strategjike për energji solare dhe bërjes publike disa muaj më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A, dhe mundësive të integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet që do të mundësohej falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krjuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike, akoma nuk është dëgjuar për ndonjë projekt më konkret të ri, të detajuar dhe me parashikime të sakta të fuqisë instaluese dhe të kostos së realizimit të tij, qoftë të energjisë solare qoftë të asaj në bazë të erës.
Mospërmbushja e premtimeve të draft-strategjisë do të thotë vazhdim i mungesës së energjisë elektrike, prolongim i mbajtjes së gjendjes ‘krizë në sistemin elektroenergjetik të vendit’ dhe domosdo, shpenzim të madh parash publike për të importuar energji të shtrenjtë elektrike. Kjo është llogaria e thjeshtë. Prandaj, duhet domosdo të përmbushen synimet dhe premtimet zyrtare për energjinë. Nuk ka, praktikisht, alternativë tjetër.
Duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar edhe procedurat e stërzgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur kapacitet e reja elektroenergjetike alternative, qoftë solare, apo në bazë të erës. Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potencial të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.
Deri tash, siç dihet, në Kosovë janë ndërtuar gjithsej dy kapacitete që ia vlen të përmenden të energjisë së rinovueshme- Parku i energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavat/orë.
Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë parqe të energjisë me erë, mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës. Vlerësohet se tashmë në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë dhe të vendeve të paidentifikuara saktësisht, por që japin sinjale të bollshme dhe bindëse për mundësinë e instalimit të turbinave me erë mund të arrihen diku rreth një mijë megavatë energji elektrika nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar. Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme.
Arritja e synimeve dhe përmbushja e premtimeve zyrtare, dihet, nuk është pa sfida, vështirësi reale, por edhe pa probleme të tjera që shpeshherë dijmë t’i krijojmë vetëvetes, por nuk ka tjetër rrugë. Kosova duhet të ketë energji elektrike, të cilën duhet të dijnë ta sigurojnë ata që e kanë obligim këtë punë. S’ka më kohë për të humbur.
Kosova ka nevojë për energji elektrike, por ka edhe mundësi dhe resurse të natyrës për ta pasur këtë energji. Dhe këto resurse, siç po na kushtëzon edhe kriza e madhe elektroenergjetike që ka përfshirë vendin, duhet të valorizohen pa humbur asnjë çast kohë. /Buletini Ekonomik