Ilir Meta përshëndetë kosovarët me këngën: Lulja n’saksi, saksia n’lule

Dafina Demaku Op-Ed

Dalldisë së kosovarëve për mospranimin e Gent Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme shqiptare, iu bashkëngjit edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Ai e shiti mjeshtërisht këtë kundërshtim brenda opinionit në Shqipëri dhe ndryshe/mjeshtërisht brenda opinionit në Kosovë. Pse Ilir Meta e shiti veten si lule n’saksi në Shqipëri dhe saksia në lule në Kosovë?

Të gjitha kundërshtimet që erdhën nga Shqipëria për mosemërimin e Gent Cakajt ministër i jashtëm në Shqipëri, edhe mund të përtypen ndoshta edhe pranohen, sidomos kur ato arsyetoheshin me mungesë përgjigje ndaj procedurave që i kishte përmendur edhe Ilir Meta në letrën e tij të mosdekretimit. Ama, dalldia jonë (e kosovarëve) për këtë mos dekretim, ishte qesharake.

Në Kosovë, për rreth 24 orë, Gent Cakajn e hodhëm në kryq edhe e gjuajtëm me gurë. Në një moment, ideja për ndryshimin e kufijve u personifikua në figurën e Gent Cakajt. Pra, ai ishte fotografia/harta se si dukej ndryshimi i kufijve. Ujmanin, veriun, Preshevën – të gjitha këto i pamë te Gent Cakaj.

Ndërkaq në Shqipëri, nuk e kapën edhe fort këtë element (sidomos jo opinioni publik nëse bazohemi veç pak në reagime të qytetarëve nëpër rrjete sociale, për shembull) . Me këtë element, goditi më fort ai që vendosi që Cakaj të mos bëhet ministër i jashtëm, pra presidenti Ilir Meta.

Ajo që është qesharake në reagimin e kosovarëve kundërshtues për kosovarin Cakaj, është – siç u tha edhe në editorialin e Periskopit  – festa jonë pse një djalë i ri dështoi të vendoset në krye të kësaj ministrie. Dhe arsyetimi për festën tonë: se me këtë dështim, u ndalën planet e Thaçit, Haxhiut, Ramës, Vuçiqit për ndarje të Kosovës. Kjo po që ishte e bukur: pra, sipas nesh, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, do të jetë vendimtare se si do të duket një marrëveshje që diskursin e saj – quhet edhe historike me Serbinë.

Festës së kosovarëve të dalldisur, iu bashkëngjit edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta. Ai e shiti veten ndryshe me këtë kundërshtim brenda opinionit në Shqipëri dhe ndryshe brenda opinionit në Kosovë.

Në Shqipëri, ua sqaroi fije për pe me letrën e tij të mosdekretimit ku në fillim sqaronte pse Cakaj proceduralisht nuk bën të jetë ministër (dhe kjo edhe mund të pranohej si OK) e më vonë e citon Cakajn për deklaratat e tij rreth idesë së kufijve. Pra Ilir Meta, u tregua lule në saksi në Shqipëri, duke thënë se thjesht Cakaj ishte i ‘papërgatitur’, ‘papërvojë’ e paçka tjetër për këtë post, ndërkaq saksi në lule, në arsyetimin  ku për Kosovën e futi një element që ‘dhezë’. Se Cakaj është pro idesë së ndryshimit të kufijve.

Ndryshe kjo s’mund të shihet, veçse të gjithëve na duhej një mindil për t’i fshirë lotët, kur pamë statusin e Ilir Metës në Facebook, ku ai shkoqiti pjesën ekskluzivisht dedikuar kosovarëve, në të cilin Kosovën tha se do mbrojë kështu:

“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”.

Ai edhe mund të ketë – siç thonë kosovarët – fshi’(marrë) një sasi voluminoze like- sh në këtë mesazh, ama hej, Ilir Meta është këtu. Figura e kryedeskridetiuar – nga të gjithë të tjerët që kemi përreth – për të mbrojtur diçka. Ose thënë më butë: nuk është ideali për të mbrojtur diçka, sidomos nëse e gjykojmë me standardet e njëjta që gjykojmë edhe Edi Ramën e Hashim Thaçin.

Shpërndaje në: