Ilir Meta mes zgjidhjes fallco dhe shtetit fallco

Nëse Ilir Meta mendon se ka shmangur një shtet fallco, duke shkelur Kushtetutën, me mos shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emërimin e ministrit të ri, ai nuk duhet të pranojë një zgjidhje fallco, si kjo që propozon kryeministri Edi Rama, e cila në fakt po e poshtëron Ilir Metën dy herë, edhe si President që shkel Kushtetutën, edhe si President që i bëhet e ditur që do të çertifkohet si shkelës i Kushetutës nga Gjykata Kushtetuese, dhe pastaj duhet të përballet me përgjegjësitë e tij.
Edi Rama ka bërë gjestin më diabolik të mundshëm për të mos u tërhequr, por për ta zhytur Ilir Metën në paligjshmëri kushtetuese, duke e detyruar të pranojë se ka shkelur Kushtetutën, duke mos shkarkuar Ditmir Bushatin.
Ai ka poshtëruar Presidentin e Republikës, duke e detyruar atë të pranojë një zgjidhje artificiale në pritje të gjyqit të tij kushtetues, duke ja kthyer kundër, pikën më të fortë që Ilir Meta po përdor për të shkelur Kushtetutën, mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
Praktikisht kjo mungesë e ka bërë Shqipërinë një shtet fallco, nga ata që po përdorin mungesën e saj për të shkelur Kushtetetun. Zgjidhja artificiale, deri në pritje të Gjykatës Kushtetuesës, është një zgjidhje kundër përpjekjes për t’u sjellur si President i një shteti fallco.
Tani Ilir Meta ka dy rrugë para tij. E para, është ajo që duket dhe më logjikja, që të shkarkojë Ditmir Bushatin dhe të emërojë Edi Ramën, ministër të Jashtëm, por kjo është çertifikim i shkeljes së Kushtetutës nga ai, në rastin e mëparshëm dhe një arsye që ai duhet të japë dorëheqje, kur Gjykata Kushteuese ta çertifkojë si të tillë.
Rruga e dytë, është që Ilir Meta të vazhdojë të thotë se nuk kam dëshirë ta shkarkoj Ditmir Bushatin, pasi në fund të fundit me ato argumente aq qesharake sa ai përdori për të mos e shkarkuar në rastin e Gent Cakajt, nuk ka ndryshuar ndonjë gjë.
Edhe Edi Rama shok i Baton Haxhiut është, dhe i Hashim Thaçit, dhe të gjitha argumentat që kishte për Gent Cakajn, vlejnë dhe për shefin e Gent Cakajt, përveç faktit që janë qesharake. Pra, nëse do të jetë serioz, nuk duhet ta bëjë as këtë dekretim dhe të vazhdojë betejën politike për ta përdorur postin e Presidentit për luftë politike, në përpjekje për t’u bërë kryetar opozite.
Bazuar tek mënyra se si u soll një javë më parë, ky qëndrimi i dytë është më normali që duhet të mbajë, pasi ky qëndrim, së paku i jep të drejtë politike vendimeve të tij
Nëse e ndryshon, ai certifikon shkeljet kushtetuese që ka bërë me vetëdije, hedh poshtë gjithë argumentat banale që ka përdorur dhe duhet të bëhet gati që në kuadrin e një “No more fake state”, të mos rrijë më në zyrë ditën që Gjykata Kushtetuese do ta çertifikojë si dhunues të Kushtetutës
Kështu që është më mire të mos e pranojë as Edi Ramën dhe të bëhet heroi i opozitës, pasi siç e ka thënë Bujar Nishani, tani atë e do 80 përqind e shqiptarëve, ose të iki si shkelës i çertifikuar i Gjykatës Kushtetuese.
Rasti i Fatmir Sejdiut në Kosovë, i cili dha dorëheqje me dinjitet, kur Gjykata Kushtetuese kostatoi shkelje kushtetuese për dy funksionet e tij, edhe si lider partiak, edhe si President, është një precedent që Ilir Meta duhet ta ketë parasysh ditën që Gjykata Kushteuese do shprehet për çfarë ka bërë.
Burrëria është të vazhdojë të zgjedhë të jetë si lider i opozitës në Presidencë, pasi kështu së paku i justifkon vendimet antikushtetuese, si vendime politike, se si President që pranon të çertifikohet si shkelës i Kushtetutës, përmes kësaj zgjidhje fallco që i ofron Edi Rama, është dhe më qesharak.