Ilir Meta dërgohet në Bllokun e Sigurisë, pasi u ndal në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta pas arrestimit me urdhër të SPAK ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës e më pas është nisur për te Blloku i Sigurisë (qendra ku dërgohen fillimisht të arrestuarit).
Gazeta Panorama raporton se mbërritja e tij në Policinë e Tiranës u bë në mënyrë të fshehtë dhe jashtë syrit të mediave. Po ashtu raportohet se Ilir Meta brenda ambienteve të Policisë së Tiranës është shfaqur i tensionuar dhe ka debatuar me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Meta u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK), ndërsa po kthehej nga Kosova.
SPAK raportohet se ka kryer një hetim pasuror ndaj tij.
Ky hetim besohet se është shkaku i arrestimit të sotëm, ndërsa ndaj tij ka edhe çështje të tjera hetimore.
Meta kishte qëndruar për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme në qershor. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.
Meta ka qenë president, kryeministër, ministër i Jashtëm, ndërsa kishte mbajtur edhe poste të tjera të larta shtetërore në Shqipëri.