Ilir Beqaj kërkon lirinë, avokati: Nuk ka rrezik të ikë jashtë vendit

Ilir Beqaj kërkon lirinë, avokati: Nuk ka rrezik të ikë jashtë vendit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka ankimuar masën e sigurisë arrest me burg të caktuar prej tij, duke kërkuar kështu lirinë dhe hetimin në gjendje të lirë.

Ka qenë avokati i tij mbrojtës, ai i cili ka argumentuar se ish-ministri nuk ka rrezik të largohet jashtë vendit, apo edhe të prishë provat e hetimit. Kështu, duke kërkuar lirinë për të.

Më 6 korrik, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka zbardhur vendimin, i cili la në burg ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj – duke mos marrë në konsideratë garancinë pasurore prej 5 milionë lekësh.

Beqaj u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i SASPAC.

Sipas GJKKO-së, ai është i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkaq këtë të shtunë një ndryshim i masës së sigurisë u bë për bashkëpunëtorin tjetër, Alfred Nikolla, i cili u la në arrest shtëpie.

Mbrojtja e ish-ministrit theksoi se, “nuk janë shkelur rregullat e BE-së që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj”.

“Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, ishin pretendimet e avokatëve.

Sa kaq në seancë ishte i pranishëm edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.

Beqaj u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i SASPAC.

SPAK njoftoi se, Beqaj në cilësinë e drejtorit, duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me Kurtulajn, i emëruar nga vetë ai më 26 maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat.

Sipas Prokurorisë, të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm.

 

Shpërndaje në: