Ikja e ushtarëve nga FSK, ish-komandanti tregon arsyen: Gjendja e vështirë financiare, urgjentisht të iu rritet paga
Ish gjenerali, Lahi Brahimaj ka folur për Periskopin lidhur me ikjet e ushtarëve nga FSK’ja.
Ai ka thënë se duhet urgjentisht të përmirësohen kushtet e ushtarëve, në mënyrë që mos të thellohet edhe më shumë ky problem.
“Arsyeja kryesore për këto largime është gjendja e vështirë financiare dhe kushtet jo të mira. Për të adresuar këtë situatë, duhet të ndërhyhet urgjentisht në disa aspekte:
1. Rritja e pagave në nivele të dinjitetshme për ushtarët dhe oficerët
2. Përmirësimi i kushteve të punës dhe infrastrukturës.
3. Ofrimi i benefiteve shtesë si sigurim shëndetësor më të mirë dhe mbështetje për strehim.
4. Krijimi i mundësive për zhvillim profesional dhe avancim në karrierë.
Këto ndryshime do të përmirësonin ndjeshëm jetën e ushtarëve dhe do të zvogëlonin nevojën për punë të dytë apo largim nga shërbimi”, u shpreh komandanti Brahimaj.
E ikjet e ushtarëve nga FSK-ja, mund të ndikojë negativisht në konkursin e ri që Ministria e Mbrojtjes e ka hapur, thotë komandanti.
Megjithatë, Brahimaj thotë se duhet të rindërtohet besimi për t’u bërë pjesë e mbrojtjes sonë.
“Sa i përket aplikimeve të reja, situata aktuale mund të ketë ndikuar negativisht. Megjithatë, ftoj rininë t’i bashkohet FSK-së. Është me shumë rëndësi të rindërtohet besimi dhe të nxitet vullneti për t’u bërë pjesë e ushtrisë sonë. Gjithashtu, shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë pjesëtarët aktualë të FSK-së të qëndrojnë në shërbim. Ne që kemi qenë bartës të Luftës Çlirimtare, vlerat e së cilës i trashëgon FSK, jemi të angazhuar për të ndryshuar këtë gjendje dhe për të krijuar kushte më të mira për ushtarët.’, deklaroi komandanti për Periskopin.
Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim për largimin, siç thotë ai, masiv të ushtarëve të FSK-së gjatë dy vjetëve të fundit.
“Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që Qeveria po i bën Ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018”, ka shkruar lideri i AAK-së.
Vetëm pak orë pasi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se për dy vite janë larguar rreth 500 ushtarë nga FSK’ja, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar.
Maqedonci përmes një postimi në Facebook, i ‘çoi mesazh’ Haradinajt, duke shkruar “Gjithmonë besnik, gjithmonë ushtar!”.
Në këtë formë ai ka zgjedhur që të bëj thirrje gjithashtu për të aplikuar për t’u bërë pjesë e ushtrisë së Kosovës./Periskopi