Ikja e punëtorëve shëndetësorë, FSSHK: Stafi përballet me paga të ulëta e mungesë të kushteve adekuate
“Ikja e punëtorëve shëndetësorë mbetet një nga sfidat kryesore te vendit prandaj kërkon angazhim të madh nga institucionet përkatëse”, kështu ka deklaruar Tevide Imeri, Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës.
E njëjta lidhur me këtë shtoi se, nga institucionet përkatëse përveç angazhimit duhet edhe një “plan afatgjatë për të ruajtur profesionistët brenda vendit”.
Vetëm pak ditë më parë, në lidhje me këtë dukuri, u raportua nga Radio Evropa e Lirë se me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, në Odën e Mjekëve të Kosovës tregojnë se, gjatë vitit 2024, 109 mjekë e kanë tërhequr certifikatën për të kaluarën etike, e cila u shërben për punësim jashtë vendit.
Imeri deklaroi se largimi i punëtorëve shëndetësorë nga Kosova ndodh për shkak të disa faktorëve.
“Ikja e punëtorëve shëndetësorë nga Kosova është një çështje e rëndësishme që ka prekur sektorin e shëndetësisë në vend. Kjo dukuri është rezultat i disa faktorëve, duke përfshirë, kushtet e punës: Punëtorët shëndetësorë përballen me mungesën e kushteve adekuate në vendet e tyre të punës, përfshirë mungesën e pajisjeve mjekësore , përgjithësisht infrastrukturë e dobët si dhe mbingarkesa në punë”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka përmendur pagat si dhe mjedisin më të sigurt e stabilitetin ekonomik e atë politik.
“Krahasuar me shtetet e zhvilluara, pagat e profesionistëve shëndetësorë në Kosovë janë relativisht të ulëta, gjë që i shtyn ata të kërkojnë mundësi më të mira financiare jashtë vendit. Mungesa e perspektivës profesionale: Shumë profesionistë nuk arrijnë zhvillohen profesionalisht ,në mungesë të trajnimeve të avancuara apo mundësive për specializime. Kërkesa e lartë jashtë vendit, nga shtetet evropiane të zhvilluara ekonomikisht kanë treguar një interes të madh për punësimin e stafit shëndetësor nga Kosova, duke ofruar paga më të larta dhe kushte më të mira pune kjo e bënë më të lehtë ikjen nga vendi. punëtoret shëndetësorë si dhe përgjithësisht ata që ikin nga Kosova kërkojnë një mjedis më të sigurt , më të qëndrueshëm për jetesë dhe punë, thjesht duan stabilitet ekonomik dhe politik”, ka shtuar ajo për Express.
Ajo ka shtuar edhe se, mungesa e stafit që krijohet për shkak të largimit të mjekëve e infermierëve, bën që të ndikohet edhe cilësia e shërbimeve për qytetarët.
“Si pasojë e ikjes se stafit në institucionet përballen me një mungesë të vazhdueshme të mjekëve, infermierëve dhe stafit tjetër. E kjo mungese e stafit ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Stresi i mbetur për stafin ekzistues ata përballen me mbingarkesë dhe sfida të shumta, e kjo qon ne rritjen e e pakënaqësinë e tyre”, ka shtuar ajo.
Më tej, Imeri ka folur edhe për masat që sipas saj mund të merren në mënyrë që të ndalet kjo dukuri duke përmendur ngritjen e pagave e përmirësimin e kushteve të punës.
“Rritja e pagave dhe përmirësimi i kushteve të punës. Investime në infrastrukturë dhe pajisje moderne. Ofrimi i mundësive për trajnime dhe specializime brenda vendit. Hartimi i politikave për të ndaluar migrimin masiv të stafit shëndetësor. Mos diskriminim në vendin e punës”, ka përfunduar ajo.
Duhet shtuar se gjatë këtyre katër viteve të qeverisë Kurti, kjo e fundit ka marr kritika të shumta në lidhje me situatën në shëndetësi. E njëjta, mes tjerash është kritikuar edhe për ndërhyrje e për mungesë të strategjisë.