Ikja e hirtë e mantelbardhit të ligësuar

Ikja e hirtë e mantelbardhit të ligësuar


1999-ta. Pasluftë.  Do të  më rastiste të ndodhem në banesën tonë në veri – e që i binte të ishe akoma në luftë – vendi nga ku kujtoj  ndërmendjen e parë të Bajram Rexhepit nga dikush jo si mjek por si politikan. “Qe sot apet kishin me u taku Bajrami me Oliverin”, tha tezja Shukrije, fqinja jonë andej muri. Meqë isha 12 vjeç pata nevojë për shpjegim: është mjeku që e njihniim më shumë permes profesionit sesa permes personës së tij? Po ishte mu ai. Dhe që pas kësaj nisin reminishencat për profilin e dikujt që kujtohej si njeri e qytetar i mirë, që po rrëshqiste në politikan krejt indolent, e që pardje shkoi si i ligë.

Në fakt për muajt gjatë bombardimeve të NATO-s, kur për turpin e botës në Mitrovicë dolën edhe njerëz që çuan gratë e tyre në SUP për të pyetur komandirët vrastarë të policisë: “edhe sa përfundon kjo budallaki o komshinj?”, mjeku tashmë ushtarak, po bënte më të duhurën: ndodhej në kreshtat e Shalës dhe po ndihmonte të plagosurit. Në fakt po e bënte që muaj më parë, pra që nga 98-ta, kur në qytet akoma shikohej futboll, luhej “me pereca” gjatë Ramazanit, e në rastin më të mirë prisnim të ndëpriten luftimet, për të mos thënë që edhe e urrenim kryengritjen.

Gjatë krejt kësaj kohe Hipokrati dhe patriotikja ishin mishëruar në të. Bajrami s’ishte prej nesh, siç nuk do të ishte asnjeherë por të paktën për kontekstin në fjalë ne e jo Bajrami, ishim anti historisë. Ç’e do që ndarja e qytetit paslufte nuk la vend e as kohë t’i vlerësohej mundi – mbase si merita më e madhe në jetë. Kjo sepse tashmë  qyteti ishte kthyer në një Algjer të vogël nga qizmja e trekolorëshit francez – dizajnuesëve të ndarjes në urë, që po mbillnin atmosferën e vagullt të ardhmërisë së dyshimtë, në një situatë (post)traumatike. Lavdi i Hipokratit me çantë në llogore po shtypej nga tonelatat e tanskeve e autoblindave mbi urë që ndërkallnin veç zymtësi e pashpresë, përkatësisht nga nevoja urgjente e ballafaqimit me realitetin e ri.

UÇK kishte depërtuar në boshllëkun administrativ të jugut të qytetit, meqë depërtimi ushtarak në veri iu deklamua i ndaluar nga vetë shtabi i UÇK-së e të mos flasim nga të huajt. Bajrami ishte kryetari i qytetit tashmë me ngjyrime bejrutiane. U ndodh aty meqë pjesën dërmuese të bashkëpunëtoreve i kishte deficitarë mendësisht e oratorisht. Të nivelit diçka mbi imbecilë, siç janë edhe sot.  Thirrej se ishte kryetar i veriut, e në fakt më shumë pushtet mbi veriun mund të kenë pasur pushtet Sherafedin Ajeti e Faruk Mehmeti të kohës së UDB-së se sa Bajrami i atyre ditëve.

Takimet e tij me Ivanoviqin vrasës, tashmë ishin pasqyra e re e një  Dejtoni a Rambujeje të vogël që po luhej në Mitrovicë. Teksa Ivanoviqi saherë takonte shqiptarët fliste shqip, por përfitimet për të dhe pjestarët e tij  rridhnin serbisht, Bajrami mundohej të agjëronte nga serbishtja e tij, por humbjet flisnin shqip.  Mitrovica gradualisht po merrte pamjen e vet reale pas vetëmashtrimit disavjeçar si gjoja një nga piemontet e modernizmit kosovar: qytet i serbëve më politik dhe i shqiptarëve më apolitik.

Dorëzoi çelësat e spitalit në veri si një lloj akti i nënkuptuar i largimit të stafit të ngelur serb nga QKUK-ja. Veriu  zbrazej, Bajrami krihej. Humbëm edhe shkollat. Personalisht humba tre gjysmëvjetorë dhe nisi madje “t’m’humbiste edhe gjuha” edhe kur ndodhesha veç me veten time, bash siç thotë një varg i Hölderlinit. E Bajrami s’mund të mirrte vendime vetë, meqë në Mitrovicë krejt papritur mund t’ia behte ai që i qau dje mbi varr: Kadria me ndonjë lladë i përcjellur prej  trekolorsëve. Operimet në trupa njerëzish s’ishin të njejtë me operimet mbi trupin politik të qytetit.

Kushner, komanda franceze e KFOR-it, dërgata e qendra të huaja po ridizajnonin fatin e qytetit, duke njohur realitetin e çimentuar rishmi: veriun serb. U tentua ideja e “Zonës së Mirëbesimit” gjoja duke futur Lagjen e Boshnjakëve dhe Tre rrokaqiejtë nën një orbitë sigurie: kot. Trembëdhjetëvite më vonë me bombë TNT-je aty u vra Selver Haradinaj, pak kohë prejkur Bajrami – tashmë me ofiq Ministër i Brendshëm e prishtinas – kishte rekomanduar një ilaç superstioz e religjioz për veriorët e tij: hajmalitë e për ta varrosur edhe vetë Selverin pa nam e nishan..

Pranoi Ivanoviqin interlokutor, kurse bëri nacionalistin kur u shtrua ideja e “Marrëveshjes së Premtës së Madhe” – një emërtim simbolik i një zgjedhjeje për Belfastin që u tentua në Mitrovicë më 2000 – vit ky i batërdive të mëdha në qytet. Marrëveshja parashihte që serbët të kenë përfaqësim në komunën jugore. Mesa kujtoj, idesë iu bë goxha bujë edhe për faktin se si administrator i qytetit kishte mbërritur amerikani Bill Nash, qe thuhej ta ketë pasur sukses atje, e me sa di edhe në Mostar. Ivanoviqi që po pasurohej marramendshëm (banesën në lagjen “Sutjesksa” në veri ua kishte lëshuar marokienevë të KFOR-it nga të cilët merrte 6000 DM), e lakmoi idenë por Bajrami refuzoi dhe ideja shkoi huq.

Më 2002 e bënë kryeministër teksa po kujtestaronte në Shtëpi të Shëndetit në jug. Pra dikush që kishte  dorëzuar vendin e tij të punës 500 m më në veri e gjeti veten kryeministër të 10.887 km katrorë. Zgjedhje tamam si për kute të ndërkombëtarëve dhe të LDK-së, që kishte fituar bindshëm komunalet për të rezultuar me ironi në vete diku pas 13 viteve: mantelbardhë nisi pasurimin e ngritjen, mantelbardh gjeti rënien e mbetjen pa rrogë.

E teksa Bill Nashi iku pas sukses (në fakt puna vetëm sa u bë edhe më keq), ai që në fakt e bëri Bajramin kryeministër, ish PSSP-ja Michael Steiner trasoi edhe më fuqishëm rrugën e ndarjes së qytetit permes Urdhëresës Administrative 2002/28 urdhëresë kjo që abrogonte edhe zytrarisht kompetencat e Kuvendit Komunal të jugut mbi veriun. Kujt i kujtohet Sylejman Gashi i famshëm i RTK-së kur pati shpallur në RTK “bashkimin e Mitrovicës” e din për çka po flas…

Në një reportazh të 2003-tës gënjeu publikisht se puna e UN-HABITAT-it është të siguroj kthimin në veri. Përkundrazi, UN-HABITAT-i na rekomandonte t’i shisnim pronat në një kohë kur nonstop flitej për “kthimin e qëndrueshëm të serbëve”.

Edhe përmendja se “i ndali turmat e frustuara të 2004-tës” është krejt kot. Turmat zaten ishin të ndërsyera nga strukturat e partisë së tij, turma këto që tradhtuan mundësinë e një revolte të drejtë në një situatë të pashpresë pesëvitesh post-Rambuje, meqë interes e qëllim të vetëm kishin dërgimin e armëve dhe drogës në veri, pra biznesin me ortakët serbë.
Nuk përfaqësoi kë as si pjesë e legjislaturës 2004-2007, pos që për ironi aty u gjend edhe njeherë koleg me Ivanoviqin. E as që ia pa hajrin qyteti teksa e drejtoi Komunën edhe njeherë më 2007-2009, pos varfërimit e kapjes edhe me të madhe.

Periudha 2010-2014 kur edhe shërbeu si Ministër e Brendshëm është mbase periudha më e palavd, më e pashenjtë, më e ligë që e ndoqi. Pushteti po e ligësonte krahas me pasurimin. Njerëzorja për të tashmë ishte një shkulmë, por meqë kishte dikur rrënjë në të, po i sillte sëmundjen. Hipokrati po nxirrjte nga vetja një Goliat që s’dinte as vetë se si u bë të rrihte Davidë të pambrojtur.

Pse kujt pos tij i faturohet dajaku ndaj aktivistëve dhe qytetarëve më 2010, aksioni tragji-komik në veri me viktimë Enver Zymberin, heshtja e ngjyrimit të pastër etnik të vrasjes së Selver Haradinajt, vjedhja në dhomën e dëshmive, fjalori gjithnjë e më religjioz ku pas hajmalive të rekomanduara për veriorët Kadri Veselin e uroi me “ishalla e ki kamën e hajrit” për ta sharë nja 2 vite e gjysmë më vonë në RUBIKON?

Bajrami s’ishte i ligë por u bë i tillë, dhe iku i tillë. E bënë pushteti dhe lakmia. Vdekjen e tij, unë dhe tezja Shukrije dje e shikuam nga Prishtina përkatësisht nga Vushtrria. Rastësi? Jo assesi.

Do të kujtohet vetëm për dialogun me plakën e famshme, për synetitë, dhe si indolent i ligësuar. Ah, edhe për flokët e thinjura dhe firzurën gjithnjë të hirtë siç edhe e pati jetën.  E uroj të mos kujtohet siç po e kujtojnë këto dy ditë: si shembull i njeriut që s’qenka bërë milioner. Kjo meqë një shëmbëllim i tillë e zyrtarizon dhe legjetimon ligësinë si moralitet normal shoqëror, pasi që vetë nënkuptimi tacit këtu flet mjaftueshëm a po jo? NUK U BË milioner! Do të thotë është dashtë të bëhej. Disgusting!

E qanë si nekrofilë e totemistë. I thurrën elozhe edhe të paqena.. E shpallën mjekun e parë të UÇK-së, pa qenë fare. Për korrektësi: mjeku i parë I UÇK-së  ka qenë Hafir Shala, i kidnapuar më 10 prill 1998, nga UDB-ashi Fadil Syleviqi në rrugën Prishtinë-Drenas dhe i mbytur në dhomat e hetuesisë serbe në Prishtinë. Shfrytëzuan formalitetin e moslëshimit zyrtar të partisë për ta ribërë pjesë të partisë së vdekshmi. Por paqare shtrohet pyetja: a do vepronin njejtë po tua lëshonte edhe formalisht partinë? Përgjigjen e dinë shoku Hashim e shoku Kadri.

Shpërndaje në: