IKD: Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve shkel Kushtetutën

IKD: Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve shkel Kushtetutën

Të vonuar dhe me shkelje të Kushtetutës e ka vlerësuar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Projektligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një raport të publikuar të martën, Gzim Shala nga ky institut ka thënë se nevojat për amandamentimin e këtij ligji ishin paraqitur qysh në vitin 2021, por që s’janë adresuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Në kohën kur dokumenti për konsultim publik lidhur me LPDGjP është publikuar, MD drejtohej nga zotëri Selim Selimi, i cili më 22 mars 2021 u pasua nga ministrja e Drejtësisë, zonja Albulena Haxhiu. Këto nevoja në raport me avancimin e LPDGjP janë injoruar nga MD, si në mandatin e Selimit ashtu edhe në mandatin e Haxhiut. Kjo e fundit, ka dërguar për miratim në Qeveri Projektligjin me vetëm një ndryshim, duke injoruar të gjitha shqetësimet e ngritura nga IKD”, u shpreh ai.

Shala ka thënë se nevojat për reformimin e sistemit të llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit kanë qenë evidente edhe në atë kohë. Megjithatë, sipas tij, MD-ja injoroi të gjitha këto nevoja, duke përmbushur vetëm formalisht agjendën legjislative.

“Asokohe, MD theksonte se rishikimi i tërësishëm i këtij Ligji do të bëhet pas përfundimit të disa proceseve në MD, siç janë Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, Vettingu, etj. Megjithatë, përderisa po rishikohet ky Ligj, Vettingu jo që nuk ka përfunduar, por madje as nuk ka filluar”, ka shtuar Shala.

Shala ka thënë po ashtu se dispozitat e Projektligjit aktual janë të përfshira në shkelje kushtetuese. Sipas tij, projektligji bie në kundërshtim me Kushtetutën “pasi që pasuria e pajustifikueshme nuk përfshihet në asnjërën prej dy kategorive ku përcaktohet shkarkimi i gjyqtarëve apo prokurorëve”.

Gjithashtu, Shala ka deklaruar se MD-ja i është referuar vetëm draft-amendamenteve, të cilat nuk janë miratuar dhe si rrjedhojë, nuk janë pjesë e Kushtetutës.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për amendamentet kushtetuese për të cilat Gjykata Kushtetuese dha dritën e gjelbër për miratimin e tyre, por se të njëjtat nuk u miratuan asnjëherë./BpD

Shpërndaje në: