Identifikohet i riu nga Vushtrria që vdiq duke punuar – Policia jep detaje

Periskopi.com Lajme

Pasditja e së enjtes ka qenë fatale për një  21-vjeçar nga fshati Sfaraçak i Vushtrrisë pasi humbi jetën nga kontakti me kabllot elektrike.

Periskopi merr vesh se bëhet fjalë për Rrezon Mehmetin i cili vdiq duke instaluar kabllo në njërën prej  shtyllave elektrike në fshatin Maxhunaj.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. Ai sot për Periskopin ka dhënë detaje të reja, duke thënë se trupi i viktimës është dërguar në obduksion.

‘’Viktima në kohën e incidentit ka qenë duke punuar me disa kabllo dhe në rrethana tash për tash të panjohura ka ardhur në kontakt me rrymën dhe e ka goditur. Thuhet se ka qenë punëtor i një prej kompanive të cilat meremetojnë apo shpërndajnë rrjete të internetit. Trupi i tij i pajetë është dërguar për obduksion’, ka thënë Zahiti për Periskopin.

Ai ka treguar se hetimet vazhdojnë, ndërkohë që do të merren informacione rreth kompanisë ku ka punuar dhe masat e sigurisë atje.

‘Është cështje procesi, vazhdon lënda. Do të merren informacione tek cila kompani ka punuar, çfarë të drejtë ka pasur për punë, si janë masat e sigurisë së punës atje. Gjithçka varet prej hetimeve’, ka shtuar Zahiti.

Rastet e humbjes së jetës në vendin e punës janë shpeshtuar sivjet në Kosovë. Nga janari i vitit 2018,  nëntë persona kanë humbur jetën teksa punonin në ambiente të pasigurta.

Ndër rastet e fundit është edhe ai i 17-vjeçarit nga Prizreni i cili po punonte në një fabrikë në fshatin Lubizhdë. Është bërë e ditur se vdekja kishte qenë aksidentale dhe gjatë punës me makinën e stiroporit viktimës i ishin  shkaktuar plagë vdekjeprurëse./Periskopi/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: