Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, Steinbaum: Mund të rikthehet nga administrata Trump
Ish shefi i stafit të kongresistit amerikan, Eliot Engel, dhe bashkautor i një raporti për Kosovën, Jason Steinbaum, ka shprehur qëndrimin se administrata e re amerikane e presidentit të zgjedhur Donald Trump, mund ta rikthejë çështjen e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për RTV21, Steinbaum tha se pret që të ketë një periudhë të vështirë në marrëdhëniet ndërmjet administratës së re amerikane dhe Qeverisë së Kosovës.
Në një raport hartuar për Grupin për Politikat Publike në Uashington, Steinbaum tha se kërkesat ndërkombëtare ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe do të shkeleshin kompetencat kushtetuese të autoriteteve komunale.
“Ne ende nuk e dimë këtë. Nuk jemi të sigurt kush do të jenë lojtarët kryesorë për këtë rajon. E dimë kush pritet të jetë sekretari i shtetit, kur Senati ta miratojë, por ende nuk e dimë se çka do të jetë interesi i kësaj administrate, kësaj administrate të re që po vjen. Kjo është diçka që të gjithë ne që interesohemi për këtë rajon do ta ndjekim me shumë vëmendje. E dimë që ka pasur lojtarë që kanë qenë aty dhe kanë dalë me persona të lidhur me Presidentin e zgjedhur Trump, por ende nuk e dimë se si do të zhvillohet kjo”, tha Steinbaum
“Bazuar në atë që keni parë, bazuar në atë që keni dëgjuar, bazuar në atë që dini po ashtu nga kapacitetet e tij të mëparshme. Donald Trump e sheh veten si një negociator dhe ai e konsideron veten si negociatorin më të madh të botës. Kështu që pres që ai të hyjë këtu me shpresë për të zgjidhur këtë konflikt në 5 sekonda. Dhe supozimi im, dhe është thjesht një supozim, është se ai do të propozojë një shkëmbim territoresh dhe do të thotë, ja marrëveshja përfundimtare, ju hiqni dorë nga ky territor në veri, Serbia, ju e njihni dhe konflikti përfundoi. Dhe ai do të ushtrojë presion mbi të dy palët për ta bërë këtë. Ky është thjesht një supozim”
Pra, mendoni se shkëmbimi i territoreve do të kthehet përsëri si një çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
“Unë supozoj që do të kthehet. Mendoj se do të kthehet. Ishte diçka që ka ekzistuar gjatë administratës së tij të mëparshme, dhe pres që ata të përpiqen të gjejnë një mënyrë për të provuar që ai mund të zgjidhë të gjitha konfliktet duke qenë një negociator. Shumë prej këtyre gjërave janë për të. Ajo që kemi mësuar, është se të gjitha politikat e tij, nëse ka politika, të gjitha qasjet e tij, të gjitha marrëdhëniet e tij, janë të gjitha për të. Kështu që ai do të dëshirojë ta zgjidhë këtë për të thënë që ai mund ta bëjë”, shtoi ai.