Ibrahim Rugova, rebeli metafizik

Ibrahim Rugova, rebeli metafizik

Sot shënohet ditëlindja e shtatëdhjetë e pestë e lindjes së Ibrahim Rugovës, presidentit të Kosovës për një dekadë e gjysmë. Ai mbetet i dashur nga një pjesë e madhe, dhe i urryer nga një pjesë tjetër e madhe e shoqërisë tonë. Ajo që nuk mund t’i mohohet nga askush është rëndësia që kishte në periudhat më të zorshme politike, dhe poashtu veçoritë e personalitetit të tij.

Opinioni i sotëm i kushtohet pikërisht atij.

Shumica e rrethit tim që përbëhet nga shokë, familjarë, kolegë të punës e të afërm të ndryshëm është e përcaktuar për një anti-rugovizëm të thekshëm. Disa e përçmojnë, disa e urrejnë, e disa të tjerë e kritikojnë ashpër. Por ka edhe të tillë që e duan. Të rrallë janë ata që e shqyrtojnë në mënyrë kritike gjithë veprimtarinë e tij. Nga të dy palët.

Nuk e di nëse veprimtaria e tij e para-luftës mund të quhet pacifiste ose paqësore. Kjo sepse në vitet 90’ ishte shtuar brutaliteti i regjimit dhe të ishe paqësor në atë rrethanë, nënkuptonte të përdorje mjete paqësore, dmth joefektive, dhe të mos e dëshiroje aq shumë paqen. Pacifizmi i Rugovës mendoj se ishte një mjet, metodë, që nuk përkthehej dhe nuk mund të përkthehej në qëllim. Pra, pacifizmi ishte metoda, jo qëllimi. Si shumë të tjerë, nuk besoj që pa një rezistencë të armatosur do të kishim arritur paqen. Ironikisht, por ama duke e besuar plotësisht, mund të them që paqësore ishte UÇK-ja në atë periudhë. Kjo sepse, ajo e donte paqen në atë masë, sa ishte në gjendje të luftonte për të. Rugova jo, nuk besonte te lufta vulgare, besonte te lufta si një gjendje e përhershme, me mjete më të sofistikuara, dhe i trembej luftës klasike.

Karakteristika e Rugovës mendoj se ishte pasivizmi qytetar, një qasje pësore. Kjo nuk është një rrugë krejtësisht qorre. Është mënyra e të vepruarit e gjeneralit Kutuzov gjatë luftës së Rusisë me Napoleonin, në qoftë i saktë përshkrimi i Tolstojit te ‘Lufta dhe Paqja’. Por, të qenit pësor nuk përbën detyrimisht një qëndrim jokritik ose të pamenduar. Aspak. Është një lloj filozofie politike që rrjedhon nga konfrontimi i Albert Camus me Jean Paul Sartre-n dhe përkrahjen që iu bënte ky i fundit grupeve marksiste. Camus te ‘Revolta Metafizike’ tregonte se sa i pakuptimtë ishte një angazhim për revolucion e gjakderdhje në një botë që e ka në thelbin e saj të keqen, vdekjen, papërkryerjen. Kjo nënkuptonte sipas tij, të shpërfillje kushtet elementare ekzistenciale. Ai propozon në vend të revolucionit historik, një revoltë metafizike.

“Rebelimi metafizik,” thotë Camus. “është lëvizje përmes së cilës njeriu proteston kundër kushteve të tij ekzistenciale dhe kundër gjithë krijimit. Është metafizike sepse konteston qëllimet e njeriut dhe të krijimit. Skllavi proteston kundër kushteve në të cilat e gjen veten brenda gjendjes së tij të skllavërisë; rebeli metafizik proteston kundër kushteve në të cilat e gjen veten si njeri. Skllavi rebel pohon që ka diçka në të që nuk do ta tolerojë mënyrën me të cilën e trajton i zoti i tij; rebeli metafizik deklaron që ai është i frustruar nga gjithë universi. Për të dy këta, nuk është çështja vetëm te një mohim i pastër e i thjeshtë. Në të dy rastet, në fakt, ne e gjejmë një gjykim vlere në emër të së cilës rebeli refuzon të aprovojë kushtet në të cilat e gjen veten.”

Në pasazhin e mësipërm, si rebel metafizik e gjejmë vetë Rugovën. Mos të harrojmë që Rugova ishte një kritik letrar që kishte studiuar në Francë, madje edhe te një prej kritikëve më të njohur letrarë të shekullit XX, Roland Barthes. Duke qenë se ishte mjaft i dijshëm, është e pamundur të çohet në mend se ai nuk e njihte Camus-në dhe librin e tij të famshëm. Ose se, qasja pësore ishte produkt i një injorance të paskaj.

Rugova besonte se ajo që do të ndodhte do të ndodhte. Pra, gjërat ndodhnin nga domosdoshmëria siç na mësoi Spinoza. Qëndrimet e tij politike ndaj oponentëve politikë ndryenin pikërisht bindjet e tilla.

Te kritikët e Rugovës përfshihet ndërkohë njëfarë mendësie totalitare, mbase e trashëguar nga kanuni ose tribaliteti ende i pranishëm. Ajo që kërkohej ishte unifikimi, dmth të ishim bashkë, të pandashëm, të papërçarë. Kjo ishte mosvet e rrezikshme për një shoqëri që aspironte të kultivonte pluralizmin politik dhe demokracinë. Rugova nuk u lëkund nga qëndrimet e tij edhe në kohë krize duke e cenuar krijimin e ndonjë miti apo tabuje në të ardhmen për atë kohë. Ai ishte kundër luftës, dhe kjo duhet thënë troç. Ai ishte kundër mjeteve të dhunshme për arritjen e paqes si qëllim. Dhe në një pikë, kishte të drejtë. Edhe në rast se qëllimi arrihej, siç ndodhi, kjo do të çonte në rishpërndarje të shtypjeve e të dhunës bazuar në meritat që njerëzit i merrnin në luftë.

Por, çka është lufta? Von Clausewitzi, gjenerali i famshëm prusian, do të thoshte se ajo është politikë me mjete të tjera. Nietzsche e Foucault në anën tjetër, duke e përmbysur këtë postulat do të thoshin se lufta në fakt është e përhershme, pra ajo nuk rresht asnjëherë, veçse ndonjëherë ndërrohen mjetet. Pra, sipas këtij pikëshikimi, politika është luftë veçse me mjete të tjera.

Rugova mesiguri e ka lexuar edhe Foucault-në, meqenëse ky i fundit merrej edhe me kritikë letrare. Politika si luftë me mjete të tjera. Mendojeni për një moment. Rugova pra, besonte te një lloj tjetër lufte përmes së cilës të arrihej qëllimi madhor, çlirimi nga shtypja. Lufta e mjeteve të vrazhda, armëve, vrasjeve, mizorive të pashmangshme e rrënonte strukturën shoqërore. Dhe ishte e pashmangshme që një gjë e tillë të ndodhte, siç edhe ndodhi. Nëse arriti të shmangej lufta qytetare pas lufte, ndoshta kjo ishte kryekëput shkaku i fitores së Rugovës në zgjedhje. I fitores së frymës së tij pasiviste. Edhe në kohën kur ndodhën zhvendosje të mëdha në strukturën shoqërore, e ku disa njerëz hipnin e të tjerë zbrisnin, ai nuk bëri zë dhe nuk u bë i sertë. Nuk inicioi as institucionalisht ndonjë veprim që do të mund të rriste pakënaqësinë e atyre që luftuan, e që morën ato që mund të merrnin. U vranë shumë njerëz të partisë së tij, por kjo ishte një rrjedhë e pashmangshme e epilogut të asaj lufte. Mund të vriteshin shumë e shumë të tjerë, nëse dy partitë më të mëdha në vend, LDK e PDK, do ta përdornin një diskurs më të acaruar ndaj njëra-tjetrës.

Rugova ishte padyshim një jokonformist sepse nuk shqetësohej sesi perceptohej nga publiku. Ai ishte i interesuar të shërbente si agjent i filozofisë pasiviste, nga e cila Kosova do të mund të fitonte shumë. Vendet e vogla rëndom e përqafojnë një politikë të tillë, duke qenë të vetëdijshme për shtrirjen e vogël territoriale, dhe forcën e dobët në relacion me të tjerët. Një gjë që po hezitojmë ta pranojmë tash për tash.

Përpjekja e Rugovës për t’i kultivuar marrëdhëniet me aleatët e Kosovës, është për t’u admiruar poashtu. Edhe ky qëndrim nuk lindi nga hiçi. Ai u lind nga vetëdija se Kosova nuk ishte në qendër të botës, dhe nuk kishte kurrfarë mundësie që të bëhej faktore me ndikim në zhvillimet politike globale. Një qëndrim të përkundërt e gjejmë te Adem Demaçi, i cili siç mësohet nuk ka hezituar t’ia lëshojë telefonin zonjës Albright, gjatë kohës sa kjo po përpiqej ta bindte që pala kosovare ta nënshkruante marrëveshjen e Rambouillet-së. Qëndrime kundërshtuese hasim edhe këto ditë, duke nisur nga kryeministri e deri te partitë opozitare.

Rugova padyshim ishte një rebel metafizik. Dhe, për të tillë kemi nevojë edhe sot. Para se të duam të ndryshojmë historinë, duhet të kuptojmë limitet tona ekzistenciale. E më tej, edhe mundësitë tona reale politike. Nëse Kosova ka fituar diçka deri tash, sipas meje, e ka bërë vetëm nga vullneti i aleatëve tanë.

Te disa njerëz mund të duket patriotike kur presidenti ose kryeministri ynë vendosin që të mos e dëgjojnë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara. Të shfuqizojnë Gjykatën Speciale ose diçka të ngjashme. Por, ky është patriotizëm qorr. Patriotizëm që nuk e pranon rrethanën politike të kombit të tij. Patriotizëm që çon në prapakthim të vazhdueshëm.

Shoqëria kosovare sot ka nevojë për doza rugovizmi. Për një pasivizëm kritik. Për pak jetë jashtë politikës. Për të lexuar më shumë, për t’i kultivuar shijet artistike, për t’i prodhuar disa shkrimtarë të mirë, disa regjisorë të mirë, për angazhime të gjithandejme kulturore e sportive. Grekët e lashtë i quanin ‘idiotas’ ose ‘idiotë’ ata që nuk përfshiheshin për çështjet publike, dmth që nuk merreshin me politikë. Por, te grekët e lashtë bota ishte njëmijëfish më e vogël se sot. Dhe ata, ishin në qendër të këtyre zhvillimeve. Sot, unë jam i bindur se po të njëjtit njerëz të lashtë, do t’i quanin ‘idiotas’ ata që merren pambarimisht me politikë me një sens megalomanie nga një vend i vogël e i parëndësishëm i botës.

Për Rugovën thonë që pinte shumë dhe lexonte ndonjëherë. Ishte disi shpërfillës ndaj zhvillimeve politike, pavarësisht që ishte në majë të sferës institucionale. Ndërkohë, në ditët e sotme në Kosovë sheh mijëra njerëz pa kurrfarë rëndësie politike derisa merren gjithë ditën me llafe të politikës ditore. Kultura është thuaj në tërësi e paralizuar ndërkohë që në sporte të pranuara ndërkombëtarisht pësojmë debakle të tmerrshme. Ndoshta, është e nevojshme të zgjerojmë horizontet tona kuptimore, të mos harrojmë të jetojmë derisa merremi me atë që e kuptojmë si politikë, e që s’është gjë tjetër veçse një dramë e dobët komike.

Shpërndaje në: