Ibishi thotë se disa dokumente janë dhënë nga pala serbe e që po përdoren si dëshmi

Ibishi thotë se disa dokumente janë dhënë nga pala serbe e që po përdoren si dëshmi

Dëshmitarit Nuredin Ibishi gjatë dëshmisë së tij të mërkurën në Hagë, iu prezantuan disa dokumente, e që në njërin pre tyre tha se është formular i  pjesëtarëve të UÇK-së gjatë kyçjes në Ushtri dhe futjes në trajnime. Kurse, për të dytin tha që ka qenë karton mjekësor për anëtarët e UÇK-së.

Dëshmitari tha se këto dokumente janë dhënë nga autoritetet serbe, por që janë origjinale dhe i qëndrojnë kohës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po unë në fillim, e kemi diskutu edhe ditën kur e patëm përgatitjen dhe leximet e deklaratave që ishte edhe të dhënat në gjuhën serbe dhe cirilikë që tregojnë se këto dokumente janë gjetur ose janë konfiskuar, e tash po përdoren si dëshmi, nga pala serbe”, tha Ibishi.

Prokurorja Silvia D’Ascoli tha se dëshmitari Nuredin Ibishi ka marrë pjesë në rekrutimin, trajnimin dhe stërvitjeve të UÇK-së.

Këtë, D’Ascoli e tha pas pranimit në prova materiale të të gjitha deklaratave që dëshmitari i ka dhënë më herët, së bashku me materialet përcjellëse.

“Nuredin Ibishi është ish-pjesëtar i UÇK-së që ka operuar në Zonën Operative të Llapit. Është kyçur në UÇK në qershor të ’98-ës. Ka marrë pjesë në rekrutimin, trajnimin dhe stërvitjen e ushtarëve të UÇK-së dhe e ka pasur Qendrën në Bajgorë në periudhën nga gushti deri në shtator të ’98-ës. Ai ka luajtur role të ndryshme duke filluar si komandant brigade i Brigadës 131 të UÇK-së dhe si Shef i Shtabit të zonës Operative të Llapit, post të cilën e ka mbajtur prej dhjetorit të ’98-ës”, tha prokurorja D’Ascoli.

Dëshmitari Ibishi tha se ka dëgjuar shumë kohë më përpara për UÇK-në para se të bëhej pjesë e saj.

Ai theksoi se ka qenë i burgosur politik në vitin 1994 dhe që nga ajo kohë e daljes nga burgu i ka përcjellë zhvillimet rreth UÇK-së. Tha se i kujtohet që paraqitja e parë e UÇK-së ka qenë në varrimin e mësuesit Geci.

Shpërndaje në: