I vazhdohet edhe dy muaj paraburgim Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh

I vazhdohet edhe dy muaj paraburgim Jelena Gjukanoviq, e dyshuar për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit të dyshuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq.

Vazhdimin e masës së paraburgimit për të dyshuarën Gjukanoviq, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehures J.GJ., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehures J.GJ., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej dy muaj”,  thuhet në përgjigjen e Gashit për Kallxo.com, transmeton Periskopi.

Më 28.02.2025 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, më 28.02.2025, në regjionin e Mitrovicës kishte arrestuar Gjukanoviqin për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale – spiunazhi. Gjykata Themelore në Prishtinë me 02.03.2025 kishte caktuar masën e paraburgimit për herë të parë ndaj të dyshuarës Jelena Gjukanoviq.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes njoftimit kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se Jelena Gjukanoviq, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të spiunazhit dhe se masa e paraburgimit i është caktuar për shkak të rrezikut se e ajo mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më 02.03.2025 se Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se e dyshuara për spiunazh në Mitrovicë, është anëtare e OSBE-së. Përmes një reagimi, OSBE-ja kishte thënë se janë në kontakt me përfaqësuesin e saj ligjor dhe po monitorojnë situatën.

“Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të. Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit”, thuhej në reagim.

Po ashtu kujtojmë se Prokuroria Speciale e Kosovës më 19.02.2025 ka ngritur aktakuzë për veprën penale – spiunazhit ndaj dy personave Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale të spiunazhit gjatë seancës fillestare të mbajtur më 17.03.2025 në Gjykatën e Prishtinës.

“Plotësisht i pafajshëm”, kishte thënë i akuzuari Bedri Shabani.

“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale të spiunazhit”, kishte thënë i akuzuari tjetër Muharrem Qerimi.

Në aktakuzën e redaktuar Bedri Shabani e Muharrem Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës e Inspektoratin Policor të Kosovës.

Siç është përshkruar në aktakuzë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-komandant të Policisë së Serbisë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës.

Shabani e Qerimi akuzohen se këto informacione i transmetuan edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve. /Kallxo.com/

Shpërndaje në: